Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeQeveria e Kosovës e mirëpret kërkesën e politikanëve ndërkombëtarë për qasje më...

Qeveria e Kosovës e mirëpret kërkesën e politikanëve ndërkombëtarë për qasje më të ashpër ndaj Vuçiqit

Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur një thirrje të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar – e ku ka marrë pjesë edhe Ukraina – për t’i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare qasje më të ekuilibër dhe proporcionale në marrëdhëniet me Kosovën e Serbinë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se e mirëpresin letrën dhe i falënderojnë politikanët ndërkombëtarë për interesimin e tyre për Kosovën.

“Ne e mirëpresim letrën në fjalë dhe e falënderojmë kryetaren e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, senatorin Bob Menendez, kongresistët amerikanë, Torres dhe Titus, kryetarin e komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth dhe gjithsecilin prej deputetëve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare për Politikë të Jashtme të vendeve mike, përfshirë atë të Ukrainës, për interesimin e tyre mbi Kosovën, mbështetjen ndaj saj, por edhe angazhim për të vënë në pah në këtë letër shkaqet dhe shkaktarët e situatës në veri të vendit tone”, tha Kryeziu për Telegrafin.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri.

“Ne mbesim të përkushtuar për deeskalim të plotë të situatës në veri, vigjilent ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim, dhe besnik ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmëri”, tha ai.

“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhet në një letër të përbashkët të kryetarëve të komiteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, e ku ka marrë pjesë edhe Ukraina.

Letra u nënshkrua nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, por edhe kryetarëve të komiteteve të punëve të jashtme të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Në letrën dërguar përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së, shprehet shqetësim për politikën aktuale të Perëndimit në raport me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke kërkuar rishqyrtim.

“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet ndër tjerash në këtë letër, ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën për politikën tonë kolektive ndaj krizës aktuale. Përpjekjet për t’i prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje e huaj me masa të prekshme të zbatuara për t’i mbajtur ata përgjegjës nës vazhdojnë t’i minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore. Ne duhet të ushtrojmë diplomaci parandaluese nëse kriza aktuale duhet të zgjidhet, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet”, thuhet në letër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments