Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, është deklaruar pas vendimit të trupit Gjykues për dënimin që iu dha Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.
Gjykata vendosi që të dy t’i lirojë nga akuzat për veprën penale dhunimi, duke i dënuar vetëm për vrasjen, çka avokati Rexhepi e konsideroi si të rëndësishme. Mirëpo i njëjti shtoi se video-inçizimet dokumentojnë se bëhet fjalë edhe për dhunim.
“E sqaroi Gjykata, ka qenë e fshtirë me u dokumentu me prova. Fokusi im si përfaqësues ka qenë te vrasja mizore, në mënyrë që të merret dënimi maksimal. Për çështjen e dhunimit… unë vazhdoj të besoj që e ndjera ka qenë edhe e dhunuar, atë pretendim e japin edhe video-inçizimet por ta sqarojmë se ky është vetëm verdikt i gjykatës i shkallës së parë. Do ta kemi edhe të drejtën e ankesës”, deklaroi avokati i palës së dëmtuar, para mediave.
Ai sqaroi se familja nuk është e kënaqur me dënimin që iu shqiptua Arbër Sejdiut, me 15 vjet burgim.
“Familja është e frustrume për të dytin (Arbër Sejdiun) mirëpo si përfaqësues i saj jam në kontakt të vazhdueshëm. Ne i besojmë vetëm drejtësisë dhe gjykimit që bëhet në salla të gjykimit, nuk ka te na kanun e forma të tjera”.
Ndërkohë xhaxhai i Marigona Osmanit, u shpreh i frustruar me këtë vendim.
“Me Dardan Krivaqën jemi plotësisht të lumtur, me të dytin jo. Kuptohet 15 vite, 2 i ka mbajtë, 5 vite ia heqin, qysh funksionon këtu te na sistemi, por, e presim na. Ishalla kemi ymër edhe 15 vite e drejtojmë këtë situatë”, tha ai.
Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit. Vendimi është shpallur sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Fajtor për bashkëpjesëmarrje në “vrasje të rëndë”, është shpallur edhe i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu.
Në dënimin e shqiptuar të dyve do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Vrasja e Marigona Osmanit konsiderohet si një nga më të rëndat që nga paslufta në Kosovë.
Ajo ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.