Bashkimi Evropian i ka cilësuar si të pamjaftueshëm hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës deri tash për de-eskalimin e situatës në veri të vendit.
BE’ja thotë se mbetet ende e shqetësuar për tensionet në veri, derisa ka kërkuar hapa të mëtejshëm
“BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. BE-ja ka dënuar dhunën dhe vazhdon të bëjë thirrje për depërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët. BE-ja ka shtruar kërkesa specifike për depërshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të përfaqësuesit të lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të datës 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga 27 shtetet anëtare, BE-ja e thotë qartë se ishte e gatshme të merrte masa në rast të dështimit për depërshkallëzim”, ka thënë Zyra për informim e Bashkimit Evropian.
Në takimin e 10 korrikut që ishte mbajtur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ishte arritur dakordim për zvogëlim të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Qeveria e Kosovës ishte pajtuar zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore.
Bashkimi Evropian ka thënë se e ka mirëpritur njoftimin e Qeverisë për këtë dhe se këta janë hapa në drejtimin e duhur, por se nevojiten hapa të mëtejshëm.
“BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe t’i pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. BE-ja e mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshëm pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe nëse është e përshtatshme – KFOR-in. Këta janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka thënë Zyra për informim e BE-së për Koha.net.
Ndryshe, sipas dakordimit të arritur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak, Policia e Kosovës, KFOR’i dhe EULEX’i janë mbledhur dje për të vlerësuar bashkarisht situatën në veri të vendit. Tash për tash, prezenca policore në dhe rreth ndërtesave komunale do të mbetet e njëjtë.
Sipas Shefit të EULEX’it në Kosovë, Pietro Barbano, për këtë mund të vendoset gjatë ditëve të ardhshme.
“Dje pata një diskutim shumë të frytshëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, GazmendHoxha & Komandantin e KFOR’it, Angelo Michele Ristuccia: Ramë dakord për modalitetet e përgjithshme për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj
Në ditët në vijim presim takime teknike vijuese me Policinë e Kosovës për të kryer vlerësime të përbashkëta dyjavore të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe #EULEX-it dhe – sipas rastit – me #KFOR-in”, shkroi Barbano në Twitter.
Për takimin janë deklaruar edhe nga KFOR’i. Në njoftimin e publikuar thuhet se në këtë takim janë diskutuar gjerësisht masat e deeskalimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet e vendit dhe se do të ketë takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv.
“Ata diskutuan gjerësisht masat e deeskalimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”, kanë deklaruar nga KFOR.
Ndërkohë në njoftimin e Policisë për këtë takim thuhet se “çështjet të cilat u diskutuan kishin të bëjnë me situatën e sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe zhvillimet e fundit në veri të vendit. Në takim u vlerësua me interes të përbashkët bashkëpunimi dhe koordinimi në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive përkatëse, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si qëllim i përbashkët.”