Policia e Kosovës ka konfirmuar se aktualisht nuk ka ndonjë vendim për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të vendit. Paralajmërime se një hap i tillë do të ndërmerret së shpejti kanë dhënë KFOR’i dhe Shefi i EULEX’it, pas takimit që kanë zhvilluar dje me Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën. Saktësisht se kur nuk dihet, por “ditët në vijim” dhe “në afat të shkurtër”, janë shprehjet që janë përdorur në njoftimet e tyre.
Sipas dakordimit të arritur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak, Policia e Kosovës, KFOR’i dhe EULEX’i janë mbledhur dje për të vlerësuar bashkarisht situatën në veri të vendit. Tash për tash, prezenca policore në dhe rreth ndërtesave komunale do të mbetet e njëjtë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, i ka thënë Gazetës Express se nuk ka ndonjë vendim për zvogëlim të prezencës policore në veri.
“Jo. Vazhdojmë me të vjetrën”, ka thënë shkurtimisht Elshani për Express.
Sipas Shefit të EULEX’it në Kosovë, Pietro Barbano, për këtë mund të vendoset gjatë ditëve të ardhshme.
“Dje pata një diskutim shumë të frytshëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, GazmendHoxha & Komandantin e KFOR’it, Angelo Michele Ristuccia: Ramë dakord për modalitetet e përgjithshme për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj
Në ditët në vijim presim takime teknike vijuese me Policinë e Kosovës për të kryer vlerësime të përbashkëta dyjavore të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe #EULEX-it dhe – sipas rastit – me #KFOR-in”, shkroi Barbano në Tëitter, një ditë pas takimit.
Për takimin janë deklaruar edhe nga KFOR’i. Në njoftimin e publikuar thuhet se në këtë takim janë diskutuar gjerësisht masat e deeskalimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet e vendit dhe se do të ketë takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv.
“Ata diskutuan gjerësisht masat e deeskalimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”, kanë deklaruar nga KFOR.
Ndërkohë në njoftimin e Policisë për këtë takim thuhet se “çështjet të cilat u diskutuan kishin të bëjnë me situatën e sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe zhvillimet e fundit në veri të vendit. Në takim u vlerësua me interes të përbashkët bashkëpunimi dhe koordinimi në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive përkatëse, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si qëllim i përbashkët.”
Ndryshe, në takimin e 10 korrikut që ishte mbajtur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ishte arritur dakordim për zvogëlim të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.
Qeveria e Kosovës ishte pajtuar zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore.
Pjesë e kësaj marrëveshje ishte edhe që Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Dakrodimi ishte që vlerësimi të bëhet në periudha dyjavore./