Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmePërplasja Hovenier, Lista Srpska, Petkoviq – çfarë u tha pasi ambasadori ua...

Përplasja Hovenier, Lista Srpska, Petkoviq – çfarë u tha pasi ambasadori ua “sqaroi” vizitën në Uashington

Vizita e Slavko Simiq dhe Igor Simiq në Uashington ka prodhuar deklarata mospajtuese mes tyre dhe Ambasadorit amerikan në Prishtinë. Hovenier deshi që të mos ketë hapësirë për interpretime të qëndrimeve të SHBA-së pro Kosovës së pavarur, pas kësaj vizite. Lista Serbe e akuzoi se po i bën “lajka” publikut, ndërkaq reagoi edhe Petar Petkoviq i Qeverisë serbe. Hovenier mbylli ditën me Kryeministrin Kurti, në ndejën e zviceranëve.

Një front tjetër polemikash është hapur mes Ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier dhe Listës Serbe. Diplomati amerikan ka dashur t’i bëjë të qarta disa gjëra për publikun kosovar, pas një vizite zyrtare që dy zyrtarët e Listës Serbe e patën në Uashington. Ai ka thënë se ka parë disa deklarata të udhëheqësve të Listës Serbe, pas vizitës, porse SHBA-ja ua bën gjithmonë të ditur se Listën Serbe e sheh si një parti në Kosovën e pavarur.

“Pashë disa komente të liderëve të  Listës Srpska pas takimeve në Uashington dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që, sa ishin në Uashington s’kam dyshim se kanë dëgjuar që SHBA e konsideron Kosovën të jetë, që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur shtet sovran, e konsiderojmë Kosovën të pavarur dhe shtet demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Srpska, si parti politike e Kosovës, është një parti opozitare në Kosovë,  është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë” ka thënë Hovenier, të martën.

Ai i ka rikujtuar Listës Serbe qëndrimin e SHBA-së për kufijtë e Kosovës, e kjo më pas nxiti reagime të Qeverisë serbe, e më pas edhe të Listës Serbe, që vepron në Kosovë.

“Nuk duhet të ketë pikëpyetje apo ndonjë sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është diçka tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë” ka shtuar Ambasadori i SHBA’së.

Ambasadës amerikane në Prishtinë fillimisht i reagoi Petar Petkoviq, zyrtar serb që e udhëheq një të ashtuquajtur “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë.

“Ambasada amerikane në Kosovë, ne dimë mirë ku janë kufijtë e Kosovës; ata janë kufij të Serbisë në pajtim me Rezulutën 1244 të OKB-së. Dhe, Lista Serbe është zgjedhje dhe zëri i popullit serb, që mbron interesat nacionalë të popullit të vet në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, shkroi Petkoviq mbi artikullin e shpërndarë, me titullin “Hovenier për Listën Srpska: Ne i dimë kufijtë e Kosovës, ju jeni parti opozitare në Kosovën e pavarur”.

Ndërkaq, pak më vonë, Lista Serbe doli me një “analizë” të shkurtër se nga ku po buronte një deklaratë e atillë e Ambasadorit Hovenier.

“Duke analizuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, të krijohet përshtypja se pas vizitës së delegacionit të Listës Serbe në Uashington, ai ka pasur nevojë të bëjë lajka me publikun në Prishtinë, gjë që nuk mund ta kuptojmë”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, kudo që janë dhe me këdo që të takohen, gjithmonë do t’i përfaqësojnë interesat e popullit serb, sepse kjo është detyra jonë ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë. Po ashtu dëshirojmë të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur organet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë dhe jo me diktatin e askujt dhe se kështu do të vazhdojë”, vazhdonte reagimi i LS.

Derisa reagimet nga përfaqësuesit serbë të Kosovës dhe zyrtarëve të Serbisë po vazhdonin, u publikuan fotografi të Ambasadorit Hovenier teksa po bisedonte me Kryeministrin Kurti në një ndejë për Ditën Kombëtare të Zvicrës.

Vizitën e dy përfaqësuesve të Listës Serbe në Uashington, politikania Rada Trajkoviq e ka parë si “koreografi diplomatike”, që duhet të çojë drejt një kompromisi.

Trajkoviq, që mban postin e këshilltares në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Gazetën Express se kjo vizitë e zyrtarëve të Listës Serbe synon hapur që të krijojë një pamje se partia e Goran Rakiq vepron e pavarur nga Beogradi, ashtu që të ketë një “shtegdalje” për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Po ashtu, ajo thotë se Listës Serbe po i kërkohet që të mos pengojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e komunave veriore, pas pajtimit të Qeverisë së Kosovës që ato të mbahen dhe garancës së ndërkombëtarëve për pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë.

“Siç thashë më herët, ky është një veprim taktik diplomatik i SHBA-së, që synon të krijojë një hapësirë politike që Vuçiq të pajtohet për një kompromis me Prishtinën. Aktualisht, është e një rëndësie të madhe që të sigurohet pjesëmarrja e pakushtëzuar e serbëve në zgjedhjet në veri. Gjithashtu, zyrtarëve Srpska po u kërkohet të mos bëjnë presion dhe të mos pengojnë aktorët e tjerë politikë serbë në veri që të marrin pjesë në zgjedhje. Me fjalë të tjera, veriu duhet t’i kthehet një farë demokracie dhe rendit institucional. SHBA-të do të donin të shihnin fillimisht pjesëmarrjen politike pa asnjë kusht”.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments