Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeBE e prerë me Kurtin, kërkon të shpallen sa më shpejt zgjedhjet...

BE e prerë me Kurtin, kërkon të shpallen sa më shpejt zgjedhjet në Veri – reduktimi i 25 % të policisë s’mjafton

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të cilit i është besuar edhe dialogimi me Serbinë, ditë më parë ka thënë se Kosova s’duhet të shpall zgjedhjet e reja në katër komunat veriore derisa Bashkimi Evropian nuk i heq masat. Lidhur me këtë deklaratë të Bislimit, në një konferencë për media të enjten ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka thënë se është e logjikshme që masat të hiqn paraprakisht dhe sipas tij kjo s’është një kushtëzim, por një ndjekje e rendit logjik të gjërave. Kur ka folur për këtë, Kurti ka thënë se duhet zbatohet marrëveshja Lajcak-Bislimi e arritur në Bratisllavë.

Lidhur me këto deklarime të numrit një të Qeverisë së Kosovës kanë folur nga Bashkimi Evropian. Një zëdhnës i BE-së i ka thënë Gazetës Express se Brukseli zyrtar mbetet i shqetësuar me tensionet në veri të Kosovës dhe ka rikujtuar se BE-ja ka dënuar dhunën dhe vazhdon të bëjë thirrje tek Kosova dhe Serbia për de-përshkallëzim të menjëhershëm.

Ky zëdhënës ka rikujtuar se kërkesat e BE-së për de-përshkallëzim kanë qenë specifike për të dya palët dhe është theksuar se Brukseli është i gatshëm të marrë masa në rast të dështimit për de-përshkallëzim.

“BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. BE-ja ka dënuar dhunën dhe vazhdon të bëjë thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët. BE-ja ka bërë kërkesa specifike për de-përshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.

Sa i përket Kosovës, nga BE thonë se i është kërkuar Kosovës që të veprojë në mënyrë jo përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore brenda dhe në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që kryetarët të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale.

Ky zëdhënës i BE-së ka thënë për Express se mirëpresin njoftimin e Qeverisë së Kosovës për reduktim të menjëhershëm të 25 % të pranisë policore brenda dhe përreth objekteve komunale në veri, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të pranisë pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX dhe nëse është e përshtatshme edhe me KFOR-in.
Këta hapa BE-ja i konsideron hapa në drejtimin e duhur, por potencojnë se nevojiten hapa të mëtejshëm.

“BE-ja mirëpret njoftimin e qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të shkallës pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe – nëse është e përshtatshme edhe me KFOR-in. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka theksuar ky zëdhënës për Gazetën Express.

Ndërkohë nga BE potencojnë se për t’i dhënë fund krizë aktuale duhet që zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejt në katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.
“Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka shtuar tutje ky zëdhënës i Bashkimit Evropian për Gazetën Express.

Në fund, nga Brukseli zyrtar thonë se është thelbësore që të vazhdojnë Dialogu i lehtësuar nag BE-ja dhe i udhëhequr nga Borell dhe zbatimi i shpejt Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe zbatimit të Aneksit të saj. Këtu thonë se përfshihet themelimi i Asociacionit.
“Është thelbësore që të vazhdojë Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, ka përfunduar ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments