Se duhet të ketë zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar, mirëpo për mënyrën e shpalljes së tyre, jo. Krerët e shtetit janë pajtuar që një gjë e tillë të ndodh përmes peticionit, por po del të ketë probleme për shkak të mungesës së ligjit për referendum. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se Qeveria po tenton t’ia gjuajë topin KQZ-së që kjo e fundit të bëjë vet ndonjë rregullore, mirëpo nga ky institucion thonë që një gjë e tillë nuk është kërkuar nga ta.
Hapi i tretë për deeskalimin e situatës në Veri është që do të përkrahen zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Zgjedhjet pritet të organizohen pas stinës së verës.
“Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale” thuhej në njoftimin e qeverisë.
Por, përvec që tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian, Zëvendëskryeminisri Bislimi tha të hënën se nuk është i sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri.
“Topi nga qeveria te KQZ-ja”
Për mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve ende nuk ka pajtim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Derisa shefi i Bashkimit Evropian Josep Borrell ka thënë se mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve është përmes vetëtërheqjes, kryeministri Kurti disa herë ka thënë se nuk do të kërkojë dorëheqjen e tyre.
Ndërkaq, një propozim së pari e ka dhënë presidentja Osmani, i cili u mbështet më pas edhe nga kryeministri Kurti edhe kryekuvendari Konjufca – peticioni i nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listë zgjedhore.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, mbrëmë ka deklaruar se për mbajtjen e peticionit duhet të ekzistojë ligji për referendumin, i cili do të përcaktonte mënyrën strikte të organizimin e peticionit.
Në mungesë të këtij ligji, Haziri pretendon se qeveria është duke synuar që “t’ia gjuajë topin KQZ-së” që të krijojë një rregullore e cila do e zgjidhte këtë problem.
“Këta [kryetarët e komunave në Veri] duhet të përgatiten për me dalë prej zyrës, caktimi i datës, duhet me u gjet një modalitet i cili nuk lejon zbrazëtira ligjore sepse këta kryetarë janë zgjedh për katër vjet, këta mujnë me çu rastin e vet në Kushtetuese kur të dojnë dhe nuk ka gjykatë në Kosovë që munden me ua mohu ushtrimin e detyrës. Tash 20 përqindshi çka nënkupton? Kosova nuk ka ligj për referendum. Kur është bërë 20 për qind në ligjin për qeverisje lokale, është llogarit që Kosova ka me u bo me referendum që ka me përcaktu mënyrën strikte se cilat janë format e organizmit, pse duhet, kur mundet të iniciohet, se për ashtu mund të organizohet peticion në çdo komunë edhe me u rrëzu kryetarët. Qeveria nuk ka të drejtë, sepse qeveria po don me gjujt topin te KQZ-ja me prodhu rregullore me të cilat mundet me zgjidh këtë problem, por nuk mundet”, tha Haziri në tëvë1.
Sipas Hazirit, serbët më nuk do t’i bojkotojnë zgjedhjet lokale, pasi thotë se ata e kanë kuptuar “që çmimi është i shtrenjtë se nuk lejohet vakuum institucional”.
KQZ nuk mund të përpilojë asgjë dhe nuk i është kërkuar të bëjë rregullore
Ish kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ditë më parë, në një bisedë me Gazetën Express, ka thënë se krijimi i një ligji të ri është detyrë e Qeverisë dhe Presidencës. Sipas saj, KQZ nuk mund të bëjë iniciativa ligjvënëse.
“Ne si shtet nuk kemi ligj për referendum. Domethënë nuk ka ligj. KQZ-ja nuk mund të bëjë asgjë, as ta iniciojë vetë. Pra, nuk është ligjvënëse. Për ta bërë një ligj të ri, mund ta bëjë Presidenca, Qeveria – është e paraparë në Kushtetutë kush mund ta bëjë iniciativa ligjvënëse. Ndërkaq, KQZ-ja nuk mund vetvetiu kurrfarë iniciative me ndërmarrë. KQZ është institucion që organizon zgjedhje, kujdeset për mbarëvajtjen e tyre dhe kaq. Meqenëse, nuk ka bazë ligjore KQZ-ja nuk mund të përpilojë asgjë. Rregullorja duhet të mbështetet në një ligj. Nëse tenton KQZ-ja të bëjë rregullore nuk ka bazë ligjore. Nuk mund të bësh rregullore pa e pasë ligjin për referendumin”, tha ajo.
Duke qenë se KQZ nuk mund të bëjë ligje, Daka tha se ky institucion vetëm mund të harmonizojë rregullativën dytësore me ligjin bazë dhe ligji bazë mungon.
“Se si ia bëjnë pikës së dakorduar me BE-në është çështje e Qeverisë, e KQZ-së nuk është fare”, shtoi ajo.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka thënë se deri më tani askush nuk i ka kërkuar atyre që të nxjerrin rregullore.
Në një prononcim për Express, Gashi ka thënë se aktualisht janë duke hartuar legjislacionin sekondar bazuar në ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.
“KQZ-së askush deri më sot nuk i ka kërkuar të nxjerr rregullore për të cilat po flitet nga eksponentë politik. Ne aktualisht jemi duke hartuar legjislacionin sekondar/rrregullat bazuar në ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme. Personalisht nuk më ka kontaktuar askush për çështjen e një rregullore të tillë, e cila duhet të ketë padyshim bazën ligjore dhe kushtetuese”, u shpreh ai.
Express e ka kontaktuar edhe anëtarin tjetër të KQZ-së, nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, por i njëjti tha se nuk “merret me komente të injorancës politike destruktive”.
Dorëheqjet e kryetarëve, peng i vullnetit politik
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore e cilësoi si “rrugën më të mirë, më të drejtë dhe më të lehtë”.
“Rruga më e mirë, më e drejtë, më e lehtë është që kryetarët e komunave, në koordinim dhe pëlqim të tyrë, me bo aktin e dorëheqjes”, tha ai.
Njëjtë si Haziri, edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e vlerëson se dorëheqja e kryetarëve është zgjidhja më e mirë. Dorëheqjen e kryetarëve ai e lë në përgjegjësi të vullnetit politik.
“Fatkeqësisht çështja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, nga një çështje ligjore është kthyer në një çështje puro politike, në raport me negociatat Kosovë-Serbi në Bruksel. Përderisa ka vullnet nga ana e Qeverisë së Kosovës që këto zgjedhje të mbahen, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte që katër kryetarët e komunave të ofronin dorëheqje, në mënyrë që mos të kalohet në opsionin tjetër, që rregullohet me ligj, ku përmes një peticioni 20 për qind e qytetarëve që janë në lista zgjedhore, do të kërkonin një mini-referendum për të kërkuar shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore të Kosovës. Në këtë drejtim, gjithmonë me qëllim të ruajtjes së buxhetit të Kosovës, të mos shpenzoheshin mjete financiare për organizimin e këtij lloj mini-referendumi. Nëse ka vullnet politik, katër kreytarët e komunave, me vullnet të lirë, do të duhej të ofronin dorëheqje për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës”, tha ai në një prononcim për Express.
Sa kohë i duhet KQZ-së që të organizojë zgjedhje të reja?
Detyra për organizimin e zgjedhjeve i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se KQZ është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, deklaroi Elezi.
Ai tha se KQZ do të ketë së paku 30 dhe më së shumti 45 ditë kohë për organizimin e procesit zgjedhor në katër komunat veriore, mirëpo lehtësim për ta thotë se është nëse ka më shumë ditë në dispozicion.
“Këto zgjedhje do të ishin të jashtëzakonshme, prandaj KQZ-ja do të ketë së paku 30 dhe më së shumti 45 ditë për organizimin e tyre. Për KQZ-në, është lehtësim i madh që të ketë sa më shumë ditë në dipozicion nga ky afat ligjor, sepse organizimi i zgjedhjeve, pavarësisht se po flasim vetëm për katër komuna, është një nga proceset më të mëdha në një vend, përfshin aktivitete të shumta të cilat duhet të realizohen brenda afateve të caktuara kohore”, u shpreh Elezi.
Kujtojmë se në nëntor, kryetarët e katër komunave veriore dhanë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë për targat. Osmani zgjedhjet i caktoi për më 18 dhjetor, mirëpo për shkak të trazirave, pas kërkesave të ndërkombëtare, ato u shtynë për më 23 prill.
Lista Serbe përveçse i bojkotoi, u bëri thirrje edhe qytetarëve serbë që të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo ndikoi që përqindja e daljes për të votuar të jetë e ulët. Nga ky provës zgjedhor, fitues dolën katër kandidatë shqiptarë – 2 nga VV dhe 2 nga PDK.
Aktualisht, dy kryetarët nga PDK, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan janë duke punuar nga objektet alternative. Ndërkaq, kryetarët nga VV, Erden Atiq në Mitrovicën e Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq po punojnë në objektet komunale.
Përderisa Hetemi është ngujuar në zyrën e tij që nga 29 maji, për Erden Atiq është raportuar që ka dalë disa herë nga objekti i komunës së Mitrovicës së Veriut.