Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka deklaruar se ardhja e dronëve “Bayraktar TB-2” në Kosovë ishte rezultat i një marrëveshjeje dhe jo një donacioni.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje rreth ardhjes së dronëve në Kosovë por shprehu pakënaqësitë e imazhit të Turqisë pas ardhjes së dronëve.
“Kryeminstri Kurti veçse ka dhënë një njoftim në media dhe më duket e ka dhënë përgjigjen. Në këtë postim të tij, ka qenë një intervistë në një gazetë kroat, aty ka dhënë detaje shtesë. Kështu që është një marrëveshje, nuk është një donacion”, tha ai në Debat Plus.
Ai tha Turqia është partnere strategjike e Kosovës. Përveç në fushën e mbrojtjes, ai tha Turqia se me Kosovën ka bashkëpunim edhe në sferën ekonomike.
“Në fakt, ne nuk jemi shumë të gëzuar të shihemi më shumë si partnerë mbrojtës të Kosovës. Arsyeja është sepse Kosova është partneri strategjik i Turqisë edhe anasjelltas. Për të qenë një partner strategjik do të thotë të zhvilloni të gjitha fushat, edhe atë të mbrojtjes. Por në Kosovë ne e kemi të zhvilluar, të rëndësishëm edhe bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi investime në sektorë të ndryshëm, në banka, në aeroport, në distribucionin e rrymës, në prodhim dhe kompanitë turke edhe ngrisin punësimin në Kosovë. Investimet në Kosovë janë 10 përqind e investimeve tona në Ballkan. Vitin e kaluar Turqia është bërë partneri numër 1 i Kosovës dhe ne dëshirojmë të kemi bashkëpunim ekonomik e tregtar, kjo është e rëndësishme për ne”.
I pyetur se se a do të arrijnë dronë të tjerë në Kosovë, diplomati turk u shpreh se kjo varet nga nevoja e Kosovës.
“Kjo varet nga nevoja e Kosovës por deri më tani, forcat mbrojtëse të Kosovës janë duke kaluar nëpër bashkëpunime, trajnime dhe kemi disa bashkëpunime me udhëheqësit ushtarakë…këtu po fokusohemi më tepër por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të fitojë ndonjë paisje shtesë në lidhje me këto nevoja, në lidhje me kornizat e NATO-së, atëherë Turqia dhe shtetet e tjera do iu përgjigjen këtyre nevojave. Deri më tani, nuk ka qenë në agjendën tonë një gjë e tillë”, tha ai.
”Së fundmi kam qenë dëshmitar e lajmeve të rrejshme se Turqia po ia zë vendit Perëndimit. Kjo është fundamentalisht e gabuar. Turqia e përkah antarësimin e Kosovës në institucionet euroatlanike…çka ne ofrojmë është jo të zëvendësojmë dikë por t’i kontribojmë Kosovën tutje”.
Sipas tij, bashkëpunimi në mes dy vendeve do të vazhdojë dhe do zgjerohet.
Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, tha ai dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë janë blerë, nuk është e qartë. Por, KFOR-i ka thënë të dielën e kaluar se hapësira e poshtme ajrore e Kosovës “mund të përdoret për nevoja specifike” dhe me “autorizim të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Tashmë, ata po ia vështirësojnë jetën presidentit rus, Vladimir Putin, i cili nga shkurti i vitit të kaluar ka nisur luftën në Ukrainë.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus