Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKushti i Bislimit për zgjedhjet në veri, BE: Të shpallen sa më...

Kushti i Bislimit për zgjedhjet në veri, BE: Të shpallen sa më shpejt, serbët pritet të marrin pjesë

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Brukseli s’komenton deklarimet e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe kushtëzimin që një gjë e tillë të ndodh nëse BE-ja heq masat ndaj Kosovës. Nga Brukseli zyrtar megjithatë kanë përsëritur se në deklaratën e 3 qershorit të 27 shteteve anëtare theksohet qartë që zgjedhjet duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të jenë gjithëpërfshirëse. Ky zëdhënës i BE ka potencuar se serbët pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në një qëndrim të përbashkët të publikuar më 3 qershor kishin bërë të qartë hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë për de-eskalim në veri të vendit. Në këtë komunikatë zyrtare është thënë se BE pret që Kosova të veprojë për të de-përshkallëzuar situatën, duke pezulluar menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale, që kryetarët e rinj të kryejnë detyrat e përkohësisht në objekte alternative komunale dhe të shpallen sa më shpejt zgjedhjet në katër komunat në veri në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke specifikuar se presin që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.

Refuzimi i Kosovës për të vepruar në përputhje me kërkesat e BE-së kishte bërë që Brukseli zyrtar të vendos edhe zyrtarisht masa ndaj Kosovës.

Kreu i ekipit negociator të Kosovës dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, në një deklaratë të bërë të hënën ka thënë se Kosova s’duhet të shpall zgjedhjet e reja në katër komunat në veri derisa Bashkimi Evropian nuk i heq masat ndaj Kosovës.

Lidhur më këtë kushtëzim të Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se nuk i komentojnë deklarimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ka theksuar se në qëndrimin e 27 shteteve anëtare përcaktohet qartë që zgjedhjet e reja të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të jenë gjithëpërfshirëse në katër komunat.

Ky zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë për Gazetën Express se pritet që serbët lokalë të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Ne nuk komentojmë komentet. Ne, megjithatë, shfrytëzojmë rastin të ritheksojmë se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë kërkesat e BE-së siç janë përshkruar në deklaratën e BE-së 27 nga 3 qershori 2023. Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të organizohen në një mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat serbe të Kosovës në veri. Serbët e Kosovës pritet të marrin pjesë në këto zgjedhje”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Sa i përket masave dhe largimit të tyre, një zëdhënës i Bashkimit Evropian kur ia kishte konfirmuar Gazetës Express hyrjen në fuqi të tyre, kishte thënë se ato masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen në varësi të veprime në terren dhe vendimet për de-eskalim që mund të merren nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kanë thënë nga Brukseli për Gazetën Express më 1 korrik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments