Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar për katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar në Kuvend.
Problemi i parë, Hoti thotë se është se nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale.
Ndërsa, problemi i katërt sipas Hotit është se niveli i pagës minimale është caktuar para inflacionit që ka goditur vendin.
Postimi i plotë:
Katër problemet e pagës minimale, që u miratua javën e kaluar me ligj:
1. Nuk është përfillur procedura ligjore për caktimin e pagës minimale, pasi nuk ka pasur dakordim mes partnerëve socialë (qeverisë, bizneseve dhe sindikatave);
2. Nuk është përfillur formula për caktimin e pagës minimale, e cila formulë bazohet në koston e jetesës;
3. Janë shkelur dy konventa të Organizatës Botërore të Punës lidhur me hapat që duhet ndjekur për caktimin e pagës minimale;
4. Niveli prej 250 euro i pagës minimale është caktuar vitin e kaluar, para inflacionit që përjetuam, dhe sot nuk vlen ai vlerësim pasi janë rritur dukshëm çmimet e mallrave elementare.