Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeFushatë globale për njohje në këmbim të Asociaconit, a do ta pranojë...

Fushatë globale për njohje në këmbim të Asociaconit, a do ta pranojë Kurti ofertën e SHBA

Nëse dikush nuk thotë se i dërguari i SHBA-së po e bën për të joshur Qeverinë, mund konstatohet se Kosova është duke humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht. Kështu është puna sipas Gabriel Escobar. Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideron si aspiratën më të lartë të SHBA-së në rajon. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofron mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunojnë me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të nisë këtë vit. Nga Kosova ai pret vetëm formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe që s’e rrezikon Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Lexoni se çka tha Escobar në raportimin para Kongresit Amerikan.

Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit në Capitol Hill, ku i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar raportoi dje për situatën në rajon.

Escobar tregoi qartazi aty dallimet me Qeverinë në Prishtinë për rrugën e cila sipas tij do ta shpie Kosovën në organizatat ndërkombëtare. Diplomati amerikan tha se aspirata më e lartë e SHBA-së në rajon është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, e Bashkimit Europian dhe ta sigurojë një ulëse në OKB.

Escobar: Nevojitet Asociacioni që të mund të nisim një fushatë globale për njohje këtë vit, s’kam marrë zotim prej Qeverisë së Kosovës

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Disa nga to, tha ai, “nuk mund ta njohin për shkak të mungesës së një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Për të punuar në rrugën që Escobar thotë se e çon Kosovën në njohjen e plotë ndërkombëtare, ai e përmendi si urë zbatimin e marrëveshjes së fundit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, tha Escobar.

Kjo marrëveshje, Escobar tha se ia ka ofruar SHBA-së “mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit” që të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që të niset “jo vetëm një fushatë europiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve”.

Por në këtë çështje, Escobar tha se s’po e sheh Qeverinë e Kosovës të rreshtuar krah SHBA-së. Për mënyrën se si të ecet drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, ai tha se “deri më tani nuk e kam marrë atë zotim prej Qeverisë së Kosovës”.

Çfarë Asociacioni?

Asociacionin, Escobar e konsideron “një element thelbësor” në këtë qëllim.

“Asociacioni do t’i fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për t’i bashkërenduar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”, tha ai.

Shumica e shteteve me të cilat Escobar tha se është në kontakt të vazhdueshëm, “do të dëshironin të shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes, që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, sipas tij.

“Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund ta nisim këtë vit fushatën e njohjeve”, tha Escobar.

SHBA-ja e brengosur, Escobar: Po kërkojmë ta bindim Qeverinë e Kosovës të na shohë si partner primar

Diplomati amerikan shprehu hapur mospajtimet me Kosovën. Tha se janë të brengosur me mungesën e përafrimit të Kosovës me SHBA-në dhe komunitetin transatlantik.

Escobar deklaroi se po përpiqen në mënyrë aktive që ta bindin Qeverinë e Kosovës që t’i shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar.

“I kemi bërë kërkesat tona në mënyrë shumë të qartë, shumë të zëshme, BE-ja në anën e tyre ka vendosur pasoja, edhe ne, ne e kemi tërhequr Kosovën nga një ushtrim shumë i madh ndërkombëtar ushtarak si reagim ndaj kësaj dhe kërkojmë mënyra të tjera të partneritetit me një prej aleatëve tanë më të afërt në rajon. Më duhet ta them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-në por me gjithë komunitetin transatlantik dhe kjo përfshinë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Europian, NATO-n , QUINT-in dhe fqinjtë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

“Prapë po kërkojmë në mënyrë aktive, mënyrë të cilën mund ta bindim Qeverinë që t’i shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon dhe përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës, nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta”, shtoi Escobar.

“S’a përkushtim të plotë nga Kosova për shtensionimin e situatës në veri”

Escobar foli për situatën në veri të vendit, duke theksuar se tensionet u rritën herë pas here, me gjithë përpjekjet për normalizim nga ndërkombëtarët.

Megjithëse Qeveria e Kosovës e arriti një marrëveshje me BE-në për hapat që duhen ndjekur për shtensionimin e situatës në veri të vendit, Escobar tha se “ende nuk ka një përkushtim të plotë të Kosovës”, por shtoi se “pajtohemi me Kosovën për shume standarde demokratike që ajo dëshiron të zbatojë dhe pajtohemi me Kosovën se ata që sulmuan gazetarët, policët e Kosovës dhe trupat e KFOR-it duhet të dënohen”.

“Por edhe më tej do të donim të shihnim harmonizim më të madh me planin europian”, tha Escobar.

Eliot Engel tha se SHBA-ja po i qaset butë Serbisë, Gabriel Escobar nuk pajtohet

Kongresmeni republikan, Keith Self iu referua disa deklaratave të ish-kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel se SHBA-ja po e zbutë Serbinë.

“Eliot Engel, një koleg i cili kryesoi këtë Komitet, sapo ka shkruar një koment për për Serbinë dhe Rusinë dhe arriti në përfundimin se Administrata Biden po e zbut Serbinë. Ndonjë koment nga ju si Administratë e Biden?”, ishte pyetja e Self.

Me këtë konstatim nuk u pajtua Escobar.

“Do të thosha se kjo është faktikisht e gabuar. Në 60 ditët e fundit gjithçka që kemi bërë është paragjykim ndaj Serbisë. Ne ishim në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës. Ishim në favor të zgjedhjeve të tyre përkundër kundërshtimeve të Serbisë. Ne njohëm rezultatin e zgjedhjeve edhe me 3% pjesëmarrje, përkundër kundërshtimeve të Serbisë. Ne e njohëm autoritetin e kryetarëve, përkundër kundërshtimit të Serbisë. Kemi sanksionuar shefin e tyre të inteligjencës..”.

Për Serbinë: Paralajmërim për pasoja

Escobar tha se ka nga Serbia ka marrë zotime se nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Në rast se Serbia nuk vepron kështu, Escobar paralajmëroi se do të përballet me pasoja.

Pasi tha se në procesin e zhvillimit demokratik në Kosovë “kemi qenë në anën e Kosovës në çdo rast”, Escobar lëshoi paralajmërimin për Serbinë.

“..Pra morëm zotimin se nuk do t’i kundërshtojnë dhe do të ketë pasoja për Serbinë nëse kundërshton”, tha Escobar.

Bashkimi Europian i vendosi masa ndëshkuese Kosovën duke e konsideruar kryeministrin Albin Kurti përgjegjës për tensionimin e situatës në veri, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, pak ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri do të rezultonin me “pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments