Aleksandër Vulin, i njohur si “kukulla e Putinit” në Serbi, është futur në listën e zezë së SHBA-së. Përveçse racist, shefi i BIA-s përgjatë karrierës së tij ka treguar se është një anti-perëndimor i madh. Amerikanët kanë zbuluar se ai është edhe kontrabandist i armëve dhe drogës. Cila ishte veprimtaria e Vulinit në 30 vjet aktivitet politik në Serbi?
Dikur bashkëpunëtori më i afërt i Mira Markoviqit dhe zyrtar i lartë i së majtës famëkeqe jugosllave, Aleksandar Vulin, është një nga të majtët cheguevaristë sigurisht me shumë ndikim dhe që nuk janë të paktë në Serbi, veçoritë e të cilëve janë besnikëria ndaj jolirisë, ideologjive totalitare dhe pushteteve, ultranacionalizmit dhe urrejtjes ndaj “Perëndimit kolonial” si dhe urrejtjes si të tillë. Ky ekip i majtizmit të metastazuar, i shpërndarë në të gjitha segmentet e shoqërisë, qartësisht ka lidhje të forta me qendrat e pushtetit, ndonjëherë jomjaftueshëm të dukshme, të cilat kombinojnë të ashtuquajturin ‘shtet të thellë’, kontrollin mbi institucionet, ndikimin e fortë në media, pasurinë enorme të fituar në masë të madhe gjatë të nëntëdhjetave të përfshira nga luftërat dhe nga aktivitetet e grupeve më të rënda kriminale.
Fragment i një shkrimi të publikuar në Gazetën “Vreme”, pasi Aleksandar Vulin u emërua në krye të BIA (Bezbednosna Informativna Agencija), vitin e kaluar.
—
SHBA-ja ka skanuar veprimtarinë politike të Aleksandër Vulinit, e cila, siç merret vesh nga Departamenti amerikan i Shtetit, është zgjeruar edhe në krim, korrupsion, kontrabandë.
Vulin është shpallur non grata nga DASH, duke u bërë zyrtari më i lartë i Serbisë së sotme i sanksionuar nga Amerika. Ai akuzohet për përfshirje në afera korruptive, në kontrabandim të armëve dhe të narkotikëve. Gjithashtu, në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, Vulin akuzohet për destabilizim të paqes në Ballkanin Perëndimor dhe lehtësimin e veprimtarisë dashakeqe së Rusisë në rajon.
Akuzat për veprimtarinë destabilizuese, që DASH i ka përmendur në njoftimin e sanksionimit, ishin pak a shumë të ditura në rajon. Vulin është një politikan serb aktiv që nga 90-tat, që nuk ka fshehur urrejtjen ndaj shqiptarëve, thirrjet raciste e fashiste dhe raportet e tij ndaj Rusisë dhe presidentin e saj, Vladimir Putinin.
Veprimtaria e Vulinit që besonte në “botën serbe”
Vulin së fundmi e udhëheq Agjencinë e Shërbimit të Inteligjencës së Serbie, që njihet si BIA serbe. Para kësaj detyre, të cilën e mori në dhjetor të 2022-s, Vulin ka qenë ministër i Punëve të Brendshme. Në më shumë se një dekadë, Vulin ka pasur vazhdimisht pozita të larta në Qeveritë e Serbisë, që i ka formuar partia e presidentit të tanishëm, Aleksandër Vuçiq, Partia Progresive.
Në vitin 2012, pas zgjedhjeve parlamentare të cilat i fitoi koalicioni i udhëhequr nga Partia Progresive, Vulin si pjesë e saj mori nën drejtim të ashtuquajturën zyrë për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë.
Edhe pas dy palë zgjedhjet e tjera parlamentare në Serbi, në vitin 2014 dhe në vitin 2016, ish-Kryeministri Vuçiq e mbajti në kabinetin e tij, si ministër të Punës.
Vulin më vonë, në kabinetin e Kryeministres Ana Bërnabiq, u bë ministër i Mbrojtjes. Për aq kohë sa ishte në këtë detyrë, Vulin pati hapësirë më të madhe për ta shprehur qasjen e tij fashiste, sidomos ndaj shqiptarëve.
Vetëm brenda një muaji në vitin 2020, Vulin u ishte drejtuar shqiptarëve të Kosovës në gjashtë komunikata zyrtare me termin ofendues “shiptari”. Këtë e kishte përdorur edhe disa herë vetë gjatë deklarimeve publike.
Si ministër i Mbrojtjes, Vulin ka dhënë vazhdimisht deklarata, që janë parë si kërcënim të sigurisë së Kosovës dhe rajonit.
Vulin si ideal të tij e kishte proklamuar krijimin e Botës Serbe (një ide që portretohej si e çmendur edhe në mediat e pa kontrolluara serbe), është një detyre e gjeneratës së tij politike që do të unifikonte të gjithë serbët pavarësisht ku jetojnë ata.
Vulin, i deklaruar si një komunist, nisi karrierën e tij politike në Ligën e Komunistëve. Në vitin 1994 ai ishte pjesë e së majtës Jugosllave, që e udhëhiqte gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, ku qëndroi deri në ’99-n. Më vonë formoi formacione të tjera politike si e Majta Demokratike, e më vonë Lëvizja Socialiste.
Lidhjet e Vulinit me Rusinë
E gjithë karriera politike e Vulinin është përshkruar me afërsinë e theksuar me Rusinë. Siç është parë publikisht, ai ka relacione më të afërta se të zyrtarëve të tjera serbë me udhëheqjen ruse.
Pas agresionit rus ndaj Ukrainës që nisi në shkurt të 2022-s, përveç publikisht me deklarata, Vulin si ministër i Brendshëm, ka shkruar edhe në Moskë, për të shprehur përkrahjen e tij për Rusinë. Pas një takimi më kryediplomatin rus, Sergei Lavrov, Vulin e ka quajtur “histeri anti-ruse”, reagimin ndaj Rusisë, pasi ajo sulmoi ushtarakisht Ukrainën.
Në Moskë, Vulin ka udhëtuar edhe në maj të këtij viti, si shef i BIA-s. Mediat kanë raportuar se ai i paraqiti një raport kryespiunit të Putinit, për atë që po ndodhte në Serbi, çfarë mendojnë dhe thonë qytetarët serbë për agresionin rus në Ukrianë dhe çfarë po bëjnë refugjatët e dezertorët rusë në Beograd.
Pjesëmarrjen e Vulinit në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, e kanë dënuar Ukraina dhe SHBA-ja.
Reagimet në Kosovë për sanksionimin e Vulinit
Presidentja Vjosa Osmani u lajmërua e para nga udhëheqja kosovare për ta përshëndetur vendimin e SHBA-së për sanksionimin e Vulinit. Ajo thotë se shefi i BIA-s serbe e ka dëmtoi dëmtoi demokracinë dhe kërcënoi paqen në rajonin tonë.
“Ai u shërbeu interesave malinje të Rusisë dhe krimet të organizuar transnacional, duke minuar kështu stabilitetin. Përshëndes SHBA-në për vendimin për ta sanksionuar atë. Së bashku me aleatët tanë do të luftojmë ndikimin e akterëve të tillë keqdashës”, shkroi Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se arsyet e sanksionimit të Vulinit “dëshmojnë kërcënimin e paraqitur për paqen dhe sigurinë në nivelet e larta të shtetit serb”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmendi pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën e sigurisë në Moskë dhe e quajti atë një nga ndërmjetësit e Vuçiqit me Putinin.
“Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën, vetëm njëri nga ndërmjetësit që bëjnë bashkë Vuçiqin e Putinin. Kohët e fundit Vulini kishte marrë pjesë dhe në “konferencën e sigurisë” të organizuar në Moskë. Kjo është thjesht prova dhe dëshmia e radhës se Serbia, për sa kohë udhëhiqet nga një politikë e pa-demillosheviqizuar, shërben si vegël e Rusisë për destabilizim të Ballkanit”, shkroi Sveçla në Facebook. /Express/