Në Vilnius të Lituanisë është mbajtur Samiti i NATO-s prej ku edhe është lëshuar një komunikatë prej krerëve të shteteve dhe qeverive që janë pjesë e NATO-s
Në këtë komunikatë thuhet se NATO e përkrah dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet tjera që kanë për qëllim normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kanë bërë thirrje që palët të shfrytëzojnë momentumin dhe të angazhohen në mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.
Tutje në këtë komunikatë të NATO-s bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë situatën menjëherë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd që është arritur në Bruksel dhe Ohër.
Në këtë komunikatë është përmendur edhe situata në veri të Republikës së Kosovës. NATO thonë se mbeten të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm në Kosovë duke përfshirë KFOR-in.
“KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, thuhet në komunikatë.
Tutje thonë se veprimet e fundit përshkallëzuese në veri të vendit janë të papranueshme dhe kanë dënuar dhunën në veri të Kosovës si dhe sulmet e paprovokuara që shkaktuan lëndime tek ushtarët e NATO-s.
NATO ka treguar se është rritur prania e trupave të KFOR-it si rezultat i tensioneve të përsëritura dhe thonë se çdo ndryshim sa i përket pranisë së trupave do të bëhet në bazë të situatës dhe jo bazuar në kalendar./G