Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmePër këtë vit falen 100 euro, nga 2025 zbatohet tatimi progresiv

Për këtë vit falen 100 euro, nga 2025 zbatohet tatimi progresiv

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët e partive opozitare për Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ministri Murati tha se përmes këtij projektligji falen 100 euro të faturës së vitit aktual të tatimit, nga e cila sipas tij, përfitojnë 95 përqind të qytetarëve. Ai po ashtu tha se nga viti 2025, do të fillojë edhe tatimi progresiv.

“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro, aq sa është vlera e faturës për vitin aktual. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm, ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës ose të tejkalohet, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra, kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, tha ai.

Por deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh kundër këtij projektligji, derisa akuzoi ministrin Murati se po e rrit tatimin në pronë.

“Kah po doni me dërgu këtë vend, qysh po mendoni me kriju një perspektiv për të ardhmen e këtyre qytetarëve duke rënduar jetën në secilën sferë të mundshme ku keni mundësi. Prandaj si GP i PDK-së ju bëjmë thirrje deputetëve të mos e votojnë një projektligj të tillë”, theksoi Tahiri.

Kritike u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se përmes tatimit progresiv, do t’iu vështirësohet puna bizneseve.

“Ju tentoni t’iu vështirësoni jetën bizneseve, atyre të cilave që sot po kanë problem me vazhdu kontratat e eksportit, për shkak se Kosova është nën sanksione. Sot vjen këtu dhe të vetme politikë që ke pru është me shtrenjtu atyre tatimin në pronë, me bërë tatimin progresiv. Asnjë reformë tjetër fiskale s’ke arrit me bërë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se përmes faljes së 100 eurove të tatimit në pronë zvogëlohen të hyrat e komunave.

“Nëse ky ligj vjen edhe i fal 100 euro për qytetarët e Kosovës, mendoj se shumica e komunave do të humbin. Kemi kundërshtuar këtë projektligj pasi i zvogëlon të hyrat e komunave”, tha Lekaj.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë, ministri Murati tha se përmes tatimit progresiv, synojnë që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg

“Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më të përballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i blloku stokun e banesave të pashitura…E di që për disa ndërtimtarë do të bëhet më vështirë, mirëpo ne e kemi premtuar si qeveri që sa i përket politikave tatimore do të ketë progresivitet”, tha Murati.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments