Kategoria e personave që kanë punuar në periudhën para viteve 1999, me vite iu është mohuar e drejta pensionale, duke mos iu njohur kontributet e punës.
Më në fund, Qeveria e ka proceduar Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Tashmë i mbetet ligjvënsve të vendosin pë fatin e 70 mijë ish punonjësve të larguar nga puna me dhunë nga regjimi i kohës.
Por në këtë situatë politike që ndodhet vendi , vështirë se kjo nismë do të përkrahet nga opozita.
Këta të fundit thonë se si parim e mbështesin nismën për këtë ligj , mirëpo në këtë situatë politike nuk do ta votojnë.
Ferat Shala deputet nga PDK-ja dhe anëtar i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, ka thënë se propozimi i këtij projektligji ka qenë i domosdoshëm. E mbështesin por për shkak të rrethanave politike aktuale nuk do ta votojnë.
“Kjo ka qenë nismë edhe nga Qeveritë e kaluara, PDK-ja , AAK-ja, që ishin në pushtet, në atë botë, kanë marrë iniciativa për ligjin në fjalë. Por që ligji nuk ka arrit të votohet. Edhe tash kjo nismë e Qeverisë është e domosdoshme, por ne kemi marrë qëndrim politik, asnjë ligj dhe nismë të kësaj qeverie nuk do ta votojmë. “,tha Shala.
Ai ka shtuar se ligji është i domosdoshëm dhe me vite ka qenë diskriminues me vite në rrethana tjera do ta mbështesim por në këto rrethana politike nuk do ta përkrahin.
“Qëndrimi ynë politik është që asnjë ligj dhe nismat të kësaj Qeverie nuk e votojmë, deri sa të reflektoi qeveria “, tha Shala.
Ndërsa nga AAK-ja thonë kjo nismë e Qeverisë për plotësim ndryshimin e ligjit për pensionistët kontribut dhënës është bërë me iniciativën e AAK-së.
Kushtrim Xhemaili zëdhënës i AAK-së, ka treguar se AAK-ja para dy legjislaturave e ka nis nismën mirëpo nuk ka gjet mbështetje nga partia që tash është në pushtet.
“Qysh në fillim të kësaj legjislature deputetë të AAK-së e kanë iniciuar plotësim ndryshim të ligjit, por prapë pushteti nuk e ka mbështetur këtë projektligj. Pas kësaj ngjarje AAK-ja e ka dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese, gjykata e ka obliguar qeverinë që të inicioi plotësim ndryshimin e ligjit në fjalë”, tha Xhemaili.
Ai ka thënë se në parim do ta përkrahin, mirëpo kjo do të varet nga rrethanat politike, pasi siç tregon ai edhe AAK-ja për shkaqe politike, pushtetit nuk ia voton ligjet.
” Na patjetër iniciativë e jona dhe do të bëjmë sa më shpejt që pensionistët ta gëzojnë këtë ligj dhe të ndalet diskimin. Në rast se kthehet normalitet politik e votojmë. Ndërsa në këto siç tash nuk kemi me e përkrah për shkak të gjendjes politike”, tha Xhemaili.
Ndërsa nga LDK-ja, nuk kanë qëndrim të qartë. “IndeksOnline” e ka kontaktuar shefin e grupit parlamentar i LDK-së Arben Gashi, i cili nuk ka qenë në gjendje të na tregoj nëse do të përkrah apo jo këtë nismë.
“Të lutem kontaktoi deputetët , Avdullah Hotin”, tha ai duke mos treguar se cili do të jetë qëndrimi i LDK-së.
Hoti nuk është lajmëruar në telefon, ndërsa deputetë tjetër të LDK-së na kanë sugjeruar që për këtë çështje duhet të jap prononcim vetëm shefi i grupit parlamentar Arben Gashi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës e ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe të cilës po i vjen fundi.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’u llogaritet drejt plotësimit të kushteve prej 15 vitesh ndërsa lartësia e pensionit do të përcaktohet në bazë të viteve të kontributeve”.
Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji