Kryeministri i Republikës, Albin Kurti një një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel ka thënë se ka falënderuar të dy kryeministrat për vizitën dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën.
Ai tha se me të dyja vendet gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale.
“Në këto kohë të rëndësime për demokracinë, sigurinë dhe paqen në rajonin tonë dhe në kontinentin tonë, në emër të popullit të Kosovës i falënderova të dy kryeministrat për vizitën. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera e gjithnjë e më të afërta, Mbështetja juaj për zhvillimin ekonomik dhe avancimin demokratik na ka ndihmuar shumë. Në politikën e jashtme jemi plotësisht në linjë me nenin 31 të Traktatit të Bashkimit Evropian, si dhe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, ka deklaruar Kurti.
Më tej, shefi i qeverisë bëri të ditur se në takim ua ka bërë të qartë të dy kryeministrave se Kosova është për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Kurti tha se ajo çka Kosova dëshiron është një zgjidhje evropiane, derisa kërkoi zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, pa vonesa dhe pa kushte, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne duam zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotëni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi edhe për BE-në të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kurti para gazetarëve.