Gjykata e Lartë amerikane bllokoi të premten planin e Presidentit Joe Biden, për të anuluar borxhet prej 430 miliardë dollarësh në kredi studentore, nga i cili do të përfitonin 43 milionë amerikanë.
Në një vendim 6 me 3, gjykatësit vendosën kundër planit të Presidentit Biden e në favor të gjashtë shteteve me prirje konservatore, që e kishin kundërshtuar atë. Veprimi i gjykatës i dha një goditje 26 milionë amerikanëve, që kanë marrë kredi studentore, e që kishin aplikuar për lehtësim nga barra financiare, pasi Presidenti Biden njoftoi programin në gusht të vitit 2022, deri në nëntorin e vitit kaluar, kur disa gjykata më të ulëta, e bllokuan atë. Vendimi po ashtu shihet si një pengesë politike për presidentin demokrat.
Gjatë shtete, Arkansa, Ajova, Kansas, Mizuri, Nebraska dhe Karolina e Jugut, kishin ngritur padi kundër planit të Presidentit Biden. Padi kishin ngritur edhe dy persona, që kishin marrë kredi studentore e nuk kualifikoheshin për lehtësim, sipas kritereve të planit.
Plani i zotit Biden ishte një përmbushje e premtimit të tij të bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2020, për të anuluar një pjesë të borxhit prej 1.6 trilionë dollarësh, që studentë dhe ish studentë, i detyrohen qeverisë federale. Por republikanët e quajtën atë një tejkalim kompetencash nga ana e presidentit, e që do të siguronte përfitim të padrejtë për një pjesë dhe jo për të gjithë ata që kanë marrë kredi studentore. Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur Presidenti Biden ka nisur fushatën për t’u rizgjedhur në vitin 2024.
Vendimi erdhi një ditë pasi Gjykata e Lartë bllokoi përdorimin e racës si faktor për pranimin në universitet amerikane, një politikë që ka synuar rritjen e numrit të studentëve me ngjyrë, atyre hispanikë, apo të racave të tjera pakicë, që janë të nënpërfaqësuara. Presidenti Biden tha të enjten se gjykata, me shumicën e saj konservatore, ishte një institucion i painformuar mbi vlerat themelore të vendit.
Gjatë paraqitjes së argumenteve mbi çështjen e kredive studentore, në muajin shkurt, administrata Biden tha se plani bazohej në një ligj federal të vitit 2003, të quajtur Akti i Mundësive për Ndihmë për Studentët e Arsimit të Lartë, i cili i jep të drejtë sekretarit të arsimit të “heqë, ose modifikojë” ndihmën financiare për studentët në kohë lufte, apo emergjencash kombëtare.
Si Presidenti Biden ashtu edhe paraardhësi i tij republikan Donald Trump, u mbështetën tek ky akt, në vitin 2020, për të pezulluar përkohësisht pagesat për kreditë studentore, apo grumbullimin e interesit gjatë asaj periudhe, si masa për të lehtësuar problemet financiare me të cilat po përballeshin studentët gjatë pandemisë së COVID-19.
Sipas një sondazhi të kryer në muajin mars nga agjencia ‘Reuters’ dhe qendra ‘Ipsos’, rreth 53% e amerikanëve e mbështesin planin e Presidentit Biden për lehtësim të barrës financiare studentore, ndërsa 45% janë kundër tij. Të anketuarit ndahen fort sipas përkatësisë partiake, me demokratët që e mbështesin atë gjerësisht dhe republikanët që përgjithësisht e kundërshtojnë.