Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka propozuar idenë e tij për organizimin e një konference të nivelit të lartë ku liderët e Kosovës dhe Serbisë s’do të lejoheshin të dilnin nga takimi pa arritur një marrëveshje. Një propozim i tillë i Ramës ka marrë përkrahjen e kreut të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
Por cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë propozim të kryeministrit të Shqipërisë. Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët përmes ambasadës në Prishtinë kanë sugjeruar deklarimet e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, të bëra mbrëmë në Klan Kosova.
Hovenier ka thënë dialogu ne mes të Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe u takon Përfaqësuesve Josep Borell dhe Miroslav Lajcak që të vendosin se cilët janë hapat e radhës.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA do t’i mbështes hapat e ardhshëm që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së dhe emisari sllovak ndërmarrin.
“Në lidhje me çështjen e hapave të ardhshëm në Dialog që ngritët, e dini, ne nuk do të shprehim mendimin për hapin tjetër dhe mënyrën më të mirë për ta bërë atë, nëse është, e dini, mbyllja e njerëzve në një dhomë derisa të vijnë për marrëveshje, duke negociuar në mënyra të ndryshme. Ky është një proces i lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja ka emëruar dikë tek i cili ne kemi besim, Miroslav Lajçak, të jetë Përfaqësuesi Special dhe Përfaqësuesi i Lartë Borrel, duke luajtur qartë një rol të rëndësishëm në gjithë këtë. Ata duhet të përcaktojnë se cili është hapi tjetër, ne do të jemi mbështetës për atë hap tjetër”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Lidhur me këtë temë, Express dje ka realizuar edhe një intervistë të shkurtër me profesorin amerikan, Daniel Serwer, i cili ka shprehur skepticizmin e tij se dikush mund të detyrojë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksander Vuçiq të futen në një takim të tillë.
Serwer ka potencuar se edhe ashtu, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk e ka problem që të hedh poshtë për atë që është pajtuar, sapo të dalë nga takimi.
Ideja e kryeministrit të Shqipërisë ka marrë përkrahjen e Preisdnetit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charls Michel, i cili ak theksuar gjithashtu rëndësinë e përkrahjes amerikane.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, ka dekalruar Michel./