Kryeministri i Luksemburgut dhe ministri i shtetit, Xavier Bettel bashkë me homologun e tij holandez, Mark Rutte në javën e parë të korrikut do të zbarkojnë për një vizitë pune në Ballkan, shkruan Express.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Shtetit të Luksemburgut, Bettel dhe Rutte të hënën më 3 korrik do të vizitojnë Serbinë e ku do të takohen me presidentin serb, Aleksander Vucic dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Të martën më 4 korrik, ata do të qëndrojnë në Prishtinë ku do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Në kuadër të një vizite pune, kryeministri, ministri i Shtetit, Xavier Bettel, së bashku me homologun e tij holandez Mark Rutte do të udhëtojnë në Republikën e Serbisë dhe Kosovën më 3 dhe 4 korrik 2023.Në rend dite do të ketë takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq në ditën e parë dhe me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ditën e dytë”, thuhet në njoftim.
Kjo vizitë e dy kryeminitrave vjen në një kohë të tensioneve në Veri dhe kur BE-ja po bën presion që Kosova dhe Serbia të veprojnë për të de-eskaluar situatën. /Express/