Rreth 4.5 milionë euro i ka kushtuar Kosovës blerja e objektit të ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Objekti është blerë vitin e kaluar, por çmimi nuk është zbuluar deri tash
Koston për blerjen e këtij objekti e ka zbuluar Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes raportit që ka publikuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme për vitin 2022.
Sipas ZKA’së, tek ky raport nuk ishte paraqitur as kontrata për blerjen e një veture për Ambasadën e Kosovës në Angli, në vlerë mbi 50 mijë euro.
“Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860€, dhe për blerjen e veturës për ambasadën në Angli në vlerë 50,463€”, thuhet në raportin e Auditorit për MPJ’në.
Nga kjo ministri i kanë thënë Auditorit se arsyeja e mosparaqitjes së këtyre kontratave, kanë të bëjnë me probleme teknike.
“Sipas menaxheres së prokurimit arsyeja e mos paraqitjes së kontratave të nënshkruara nga MDK-të kanë të bëjnë me probleme teknike pasi që procedurat e MDK-ve nuk kryhen përmes sistemit të e-prokurimit dhe nuk mund të gjenerohet raporti përmbledhës. Ndërsa arsye e realizimit të kontratave të cilat nuk kanë qenë në plan është për shkak se kishte ndryshim plotësim të planit të punës (projekteve), dhe për prokurimet e planifikuara nuk ishte iniciuar kërkesa nga njësitë kërkuese”, theksohet në raport.
Nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë dalë me një rekomandim për Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën.
“Mos paraqitja e aktiviteteve të prokurimit në raportin e kontratave të nënshkruara nuk pasqyron një gjendje reale të tyre, po ashtu mungesa e një planifikimi të mirë të nevojave ka sjellur në prokurime në procedura të prokurimeve me vlerë minimale e cila mund të ndikoj në arritjen e qëllimeve të ministrisë.
Ministrja përmes menaxheres së prokurimit duhet të siguroj që të gjitha kontratat të jenë pjesë e raportit vjetor duke bashkëpunuar edhe me KRPP për të parë mundësinë që kjo të bëhet përmes sistemit e-prokurimi. Po ashtu, duhet të siguroj një planifikim më të mirë të prokurimit bazuar në nevojat për të eliminuar prokurimet jashtë planit”, thuhet tutje në aerport.
Kosova ka blerë sivjet edhe objekt për ambasadën në Mbretërinë e Bashkuar. Objekti i blerë është një vilë e komedianit Spike Milligan dhe për të, sipas raportimeve në media, Kosova ka shpenzuar 7 milionë e 400 mijë euro.
”I emocionuar të ndaj që ambasada Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar ka një adresë të re dhe së shpejti do të zhvendoset në Hyde Park në një shtëpi që i përkiste komedianit të ndjerë Spike Milligan. Ne jemi të nderuar nga historia kulturore që mban lokacioni dhe synojmë të forcojmë më tej lidhjet tona me Mbretërëinë e Bashkuar“, kishte njoftuar Kryeministri Albin Kurti, në prill të këtij viti.
Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte miratuar propozim-vendimin për fillimin e procedurave për blerjen e objekteve të Ambasadave të Kosovës në Zagreb të Kroacisë dhe Dakar të Senegalit, për nevoja të shërbimit të jashtëm të Kosovës, javën e kaluar.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte treguar edhe arsyet pse janë zgjedhur këto vende.
“Një arsyetim i vogël pse kemi zgjedhur Senegalin, lidhet me disa aspekte teknike. Ne mund të kishim bërë kërkesë edhe për ambasada tjera, mirëpo sipas fjalës popullore, “shtrijë këmbët sa e ke jorganin”. Buxheti i këtij viti, këtë shumë na e lejonte, prandaj jemi përcaktuar për Kroacinë dhe Senegalin dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me blerjen e objekteve të ndryshme”, kishte deklaruar Gërvalla.