Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaGuvernatorja e Iowas: Marrëveshja e nënshkruar me Osmanin i bashkon edhe më...

Guvernatorja e Iowas: Marrëveshja e nënshkruar me Osmanin i bashkon edhe më shumë dy vendet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe guvernatorja e shtetit të Iowas, Kim Reynolds, të hënën e 26 qershorit kanë nënshkruar marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Osmani ka thënë se dëshmon përkushtimin për fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën mbetet ekzistenciale.

Marrëveshja, tha ajo, do të luajë rol të rëndësishëm në arsim, tregti, bujqësi e energji.

“Në takimin tonë diskutuam për raportet tona disavjeçare. Sot me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, dëshmuam edhe një herë përkushtimin për fuqizimin e marrëdhënieve tona biletarale. Kjo marrëveshje do të luajë rol të rëndësishëm në arsim, tregti, bujqësi e energji. Marrëveshja do t’i hapë rrugë përafrimit dhe përfitimit të qytetarëve tanë. Aleanca jonë me ShBA vazhdon të jetë ekzistenciale dhe populli jonë është populli më proamerikan. Fuqizimi ndërkombëtar i Republikës që është anëtarësimi në BE e NATO e shohim përmes partnerëve tanë”, tha Osmani, shkruan EO.

Dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje binjakëzimi më 2013.

Osmani ka thënë se marrëveshja e re dëshmon përkushtimin për të hapur kapituj të rinj në raportet dypalëshe në “fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë, dhe fushën e energjisë”.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës do të kenë përfitime të drejtpërdrejta nga marrëveshja.

Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovë, për të cilën, ka thënë se autoritetet janë të përkushtuara që t’i tejkalojnë të gjitha sfidat në fushën e sigurisë.

“Kosova, si gjithnjë, është plotësisht e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend dhe rajon, në koordinim të plotë me aleatët tanë”.

Dy vendet kanë bashkëpunuar në të kaluarën edhe në fushën e biznesit dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments