Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për vdekjen e dy personave në Pejë pas vërshimeve të mëdha të së shtunës.
Ai ka dhënë numrat që qytetarët mund të kontaktojnë për kërkesa dhe informacione.
“Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe komunikimin e vazhdueshëm mbrëmë me Qendrat Operative Emergjente dhe njëkohësisht i ftoj që për çdo kërkesë apo informacion të vijojnë të kontaktojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, Policinë e Kosovës 192 dhe Zjarrfikësit 193”, ka shkruar Sveçla, të dielën
Ai më tutje ka shkruar në Facebook që “të gjithë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me vërshimet e mëdha me të cilat është ballafaquar qyteti i Pejës mbrëmë dhe të pikëlluar që këto vërshime morën jetën e dy qytetarëve tanë”.
“Që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës”, ka thënë Sveçla.
Më tutje, ai ka shprehur ngushëllime për familjeve që humbën më të dashurit e tyre.
“Shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve Ademaj dhe Hoxhiq për humbjen e më të dashurve të tyre”, ka shkruar ai, të dielën.