Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaGjermania demanton ministrin serb: S’kemi nën mbrojte asnjë të dyshuar për vrasjen...

Gjermania demanton ministrin serb: S’kemi nën mbrojte asnjë të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit

Ambasada gjermane në Prishtinë ka demantuar pretendimet e ministrit të Brendshëm të Serbisë, se Gjermani ka nën mbrojtje një person, që Beogradi dyshon se ka vrarë politikanin serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ambasada gjermane ka bërë të ditur se nuk ka dijeni se kush e ka vrarë Ivanoviqin më 16 janar 2018.

“Deklaratat që thonë se dorasi është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane nuk janë të vërteta. Qeveria gjermane nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga autoritetet serbe për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane për REL-in.

Më 21 qershor, ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, tha se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin.

Ai tha se policia serbe ka kërkuar nga autoritetet gjermane këtë person “nën mbrojtjen e të cilëve ai është”.

“Ne kemi një video nga aeroporti i Tiranës, kemi fotografi nga Prishtina, kemi fotografi që shfaq atë duke hyrë në një banesë në Prishtinë”, tha Gashiq, pa ofruar detaje apo dëshmi të tjera për të mbështetur këto pretendime.

Ivanoviq u vra me gjashtë plumba në shpinë para selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut – një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Mbi pesë vjet pas kësaj vrasjeje, rasti ende nuk është ndriçuar.

Kosova dhe Serbia kanë kryer hetime për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.

Aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve policorë Nedelko Spasojeviq, Radeta Basara, Zharko Jovanoviq, por edhe ndaj sekretares së Ivanoviqit, Sillvana Arsoviq dhe Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut.

Më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës arrestoi pjesëtarin e komunitetit serb, M.M, nën dyshimet se ai është anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments