Raportuesja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka përshëndetur vendimin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve që të shfuqizojë vendimin për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.
Ajo ka thënë se duhet të ketë kujdes kur bëhet fjalë për vendimet që prekin liritë e medias.
“E mirëpres vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për anulimin e vendimit për pezullimin e licencës #KlanKosova. Vendimet që kanë ndikim në liritë e medias duhet të konsiderohen me shumë kujdes, duke marrë parasysh praktikat më të mira”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ditë më parë, ishte marrë vendim që licenca e Klan Kosovës të pezullohet me arsyetim se ka pasur gabime në regjistrim.
Por kjo është kundërshtuar ashpër nga mediat, shoqëria civile, opozita, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Vendimi për Klan Kosovën ishte parë si cenim i lirisë së shprehjes. /Gazeta Express