Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja nuk ka ende përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ftesën për një takim këtë javë në Bruksel.
“Ne kemi thënë mjaft sa i përket pritjeve tona, pasojave të mundshme dhe hapave. Çështja kryesore është të kemi takim këtu në Bruksel dhe rreth kësaj, në këtë moment, nuk kam asgjë për të saktësuar”, tha Stano, gjatë një konference për media.
Megjithatë, Stano shtoi se “deri në fund të javës, ka akoma kohë”, por se nuk mund të konfirmojë ndonjë datë apo kohë për takimin e ftuar nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Po presim dhe shpresojmë se mund ta kemi datën dhe kohën e takimit dhe t’i diskutojmë pastaj modalitetet. Nuk kemi kohë për të humbur. Tash është koha për veprime e jo për fjalë dhe spekulime”, tha Stano.
Burimet diplomatike të REL-it thonë se takimi mund të zhvillohet më 22 ose 23 qershor, ndërsa po ashtu përmendin mundësinë që Kurti dhe Vuçiq të mos kenë takim direkt por vetëm takime bilaterale me Borrellin.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Bashkimi Evropian ua ka bërë me dije palëve, sipas burimeve diplomatike të BE-së, se do të kenë pasoja në rast se nuk tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për takim dhe për hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.
Një ditë më parë, Kurti ka thënë se është “i gatshëm dhe i interesuar” të shkojë në Bruksel.
Ndërsa, në një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, Vuçiq e ka përsëritur se nuk do të marrë pjesë në takimin në Bruksel deri në plotësimin e kushteve të Beogradit:
- tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,
- tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe
- ndërprerjen e arrestimeve të serbëve./REL