Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot mbrëmë kanë folur gjatë për shumë çështje që kanë të bëjnë mes Kosovës, vendeve të tyre dhe BE-së. Situata e fundit në veri dhe Asociacioni, ishin ndër temat kryesore.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha në ‘RTK Prime’ se do të pajtohej e duket paksa e zbehtë apo e tensionuar situata, por sipas tij, kërkohen liderë që arrijnë të shohin pasqyrën më të gjerë edhe përtej krizës aktuale, se cili është qëllimi strategjike se si të arrihet atje.
Ai u shpreh se nuk është lehtë që Kosova të ndërmarrë disa hapa edhe në kuptimin e Asociacionit.
“Siç e thashë, kur punohet në BE, nënkupton se çdo ditë ka kompromise. Kur Kosova të jetë në BE do të raportoni për diskutime të përditshme të vështira në Bruksel, por në fund arrihen kompromise”, tha ai, sipas të cilit, të njëjtën gjë po thonë 27 vende, SHBA e Britania e Madhe që po kërkojnë Asociacionin.
“Nuk besoj se e kemi gabim. Puna në BE ka të bëjë me të diturit se kur duhet të dëgjohet pala tjetër, kur të lëshosh pe edhe nga pozicioni yt, apo edhe dorëzim sovraniteti me masa të caktuara në BE”.
Ndërkohë, ambasadori gjerman, Rohde, duke folur për masat ë ndërmarra ndaj Qeverisë së Kosovës, e konfirmoi se disa takime janë shtyrë.
“Nuk duhet të hyj në thellësi, por nuk dua të flas për marrëdhëniet që po ftohen, por të flas për marrëdhëniet që do të përmirësohen e në këtë drejtim na duhen disa hapa nga Qeveria e Kosovës”, tha ambasadori i Gjermanisë.
Ai u shpreh se këta hapa po priten nga BE, SHBA e Britania e Madhe.
“Edhe një fjalë dua të them se politika e mençur për mua është se një nga hapat e vështirë për Kosovën është themelimi i Asociacionit dhe tani kemi disa propozime. Edhe kryeministri i Shqipërisë ka bërë propozim. Por aktori më i rëndësishëm në këtë hapësirë është Qeveria e Kosovës”, tha ai, duke pyetur se përse ajo nuk e ofron një propozim statut në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, që i përmbushë kërkesat e Qeverisë.
“Ata janë pajtuar dhe nuk është politikë e mençur të mos bëhet asgjë. Asociacioni është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit dhe palët kanë thënë se do të themelohet e së është obligim i Kosovës”, u shpreh ambasadori gjerman.
Ai shtoi se duhet parë pastaj edhe perspektiva e Serbisë, për zhbërje të strukturave paralele dhe do të kishte zgjidhje të përhershme në vend të këtyre përplasjeve të vazhdueshme.
“Duam zgjidhje të përhershme dhe duhen kompromise, edhe Serbia duhet të bëjë kompromise e besoj se kjo është e bukura e propozimit evropian, që ofron gjëra shumë të rëndësishme për të dy palët e sidomos për Kosovën, sepse është njohje de-fakto, e nuk mund të ketë më fushata kundër Kosovës për çnjohje e anëtarësim në të gjitha organizatat”.
Rohde tha se nuk shikon rrugë tjetër e nëse nuk bëhen kompromise, do të jetë e vështirë. “Por tani situata është shumë shqetësuese sepse ka një rrezik të eskalimit të mëtejshëm të situatës që të dalë nga kontrolli”.
E ambasadori i Francës, Olivier Guerot, u shpreh se do të donte shumë të komentonte ndaj propozimit të Kosovës për statut të Asociacionit e jo për propozimet e të tjerëve.
“Kjo është copëza që po mungon”, tha ai. Sipas tij, Kosova i përket BE-së e zgjerimi duhet të shkojë më tutje.
“Presidenti Macron mbajti fjalim të rëndësishëm në Bratislavë dhe si anëtarë të ardhshëm të BE-së, duam që Kosova të jetë shtet funksional sepse ideja e një Asociacioni është i lidhur me frikën që janë në vend se mund të jetë destruktive në raport me shtetësinë”, u shpreh ambasadori francez.
“Ne nuk duam që Kosova të jetë jofunksionale”, tha Guerot.
“Ne kemi ndihmuar në krijimin e këtij vendi dhe e shohim si anëtar të BE-së dhe duam të jetë funksional si shtet”.
Ai u shpreh se tashmë ka propozime që janë vënë në tryezë dhe Asociacioni duhet të jetë në tryezë, në mënyrë që komunat të ndihmohen të ofrojnë shërbime.
“Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 e parashohin që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë statutin dhe këtë e themi për disa herë, por i mbetet Kosovës të bëjë propozim dhe Kosova do ta bëjë këtë në përputhje me Kushtetutën e vet”.
Ai u shpreh se përse të mos ketë një propozim nga Kosova mbi të cilin mund të komentohet. “Ka mënyra për ta bërë këtë dhe ashtu që Asociacioni të jetë i dobishëm për popullatën e shumë shpesh i harrojmë njerëzit e rëndomtë që duan të kenë jetë normale”.
Ambasadori i Francës, Olivier Guerot tha se Asociacioni do të jetë për shërbime që do t’u ofrohen njerëzve e jo jo që ta bëjnë shtetësinë jofunksionale. “Është e mundur që Qeveria e Kosovës ta bëjë një propozim të tillë”.
Më tej në këtë intervistë, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i pyetur se në cilën pikë janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, ai tha se ato tani nuk janë në ngritje.
“Shpresojmë që Qeveria e Kosovës i dëgjon miqtë e mirë dhe nuk po flas vetëm për vendet tona që ne përfaqësojmë këtu. Liderët tanë kanë shkruar shkresa duke i kërkuar Kosovës të na dëgjojë e nuk është mirë të ecët vetëm”, tha ai.
Rohde rikujtoi se nga viti 1999, kanë qenë përkrah Kosovës. “Gjermania i ka dhënë një shtytje edhe për votën në Këshillin e Evropës prandaj edhe kjo është pjesë e këtyre përpjekjeve”, tha ai.
Ambasadori i Gjermanisë pyeti se si mundet Kosova të ketë progres edhe me vendet mos njohëse kur ka ftohje të raporteve me vendet e tjera.
“Kjo nuk është rruga që duhet ndjekur dhe duhet të përafrohemi sërish. Shpresoj se Kosova do të na dëgjojë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka të bëjë vetëm me atë që thotë Franca e Gjermania por BE-ja me 27 vendet anëtare të saj.
Rohde e konfirmoi se për momentin ka ftohje marrëdhëniesh. “Kur bëhen kërkesa e nuk dëgjohen, normalisht që kjo nuk i ngroh marrëdhëniet. Ajo që na duhet është një lloj burrështetasi e jo luftë deri në fund”.
Ai tha se këshilla e tyre është që palët të flasin e jo të bëhen akuza ndaj njëri-tjetrit. “Po shohim një lojë ping-pongu dhe ajo që na duhet është angazhimi konstruktiv dhe kjo është nevoja momentale” .
E nga ana e tij, ambasadori i Francës, shprehu besimin se qeveria e Kosovës në të vërtetë do të mund të dëgjonte më shumë e të jetë më pak e vetmuar. “Kemi qenë miqtë më të mirë të Kosovës që prej sa kohësh e do të mbetemi miqtë më të mirë të Kosovës”, tha ai.
“Gjithsesi është mirë që të jemi së bashku e të dëgjohemi në mënyrë të ndërsjellë ashtu si në BE, që kur ka dallime, e që shumë shpesh kemi dallime, i zgjidhim diferencat duke biseduar me njëri-tjetrin e duke bërë kompromise”.
Ai tha se BE-ja ka të bëjë me përbashkimin e sovraniteteve dhe punën e përbashkët.
“Vendi im, Franca, pastaj Gjermania, e shohim gjithsesi vendin e Kosovës në BE dhe për këtë kërkohet dëgjim i ndërsjellë dhe kompromise”.
Ndërkohë, ambasadori i Gjermanisë, i pyetur nëse kryeministrit Kurti na takime që kanë pasur me të, i është thënë se “është vetëm”, ai e konfirmoi një gjë të tillë.
“Sigurisht se ia kemi shprehur mendimin. I kemi thënë se duhet të dëgjoni këshillat e miqve, e kjo është bërë publike”, tha ai.
Rohde u shpreh se shpreson që të mund të arrin me të “të njëjtën frekuencë”.
Ai tha se sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë sepse situata ku ka eskalim gati në baza të përditshme, mund të përshkallëzohet përtej kontrollit.
“Kemi një luftë Evropë që kërkon vëmendje më të madhe. Kemi ndryshimet klimatike”, tha ai, duke rikujtuar se BE-ja përbëhet nga 27 shtete ku kërkohet kompromis i përditshëm.
“Kompromisi është në ADN-në tonë. Qytetarëve u duhet stabiliteti, siguria e qartësia:, u shpreh ambasadori gjerman.
Ai shtoi se Kosova është vetëm sepse nëse ke kërkesë nga BE-ja për të bërë disa hapa për de-eskalim, e nuk i dëgjon ato këshilla, as të SHBA-së që i ka të njëjta kërkesa, ashtu si edhe Sekretari i NATO-s, atëherë kjo është këshilla që mund të ofrojnë. “De -eskalimi është i mundur”.
Ambasadorët: S`ka sanksione ndaj Kosovës, por tkurrje raportesh
Të pyetur se si mund të cilësohet marrja e tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë, derisa në diskursin publik dhe deklarimet e zyrtarëve të Kosovës, ajo çfarë ka ndodhur quhet rrëmbim e kidnapim dhe si e cilësojnë ata një gjë të tillë, ambasadori gjerman tha se kjo është një pyetje që nuk është çështje kryesore.
“Çështja kryesore është që këta policë do të kthehen dhe Qeveria e Kosovës e ka thënë këtë e nuk ka rëndësi se çfarë themi ne, kurse Qeveria e Serbisë e thotë të kundërtën. Ajo që duhet të behet si pyetje është se cili është vullneti politik që bëhet për ta zgjidhur këtë çështje imediate dhe në dobi të tre policëve”, tha ambasadori gjerman në Kosovë.
Sipas tij, për këtë po kërkohet lirimi i pakushtëzuar i policeve. “Tani duhet të jem fundamental në marrëdhëniet ndërkombëtare ku njëra palë e thotë një gjë e pala tjetër, diçka tjetër, atëherë unë i referohem asaj që ka thënë KFOR-i e se ata nuk kanë qenë aty”, tha Rohde. Sipas tij, KFOR-i është përmbajtur nga përcaktimi i saktë se çfarë ka ndodhur.
Ai madje dha një shembull duke lënë të kuptohet se si ka ndodhur ky rast, mund të mos përcaktohet asnjëherë zyrtarisht. “Kur ka shpërthyer gazsjellësi NordStream, nuk ka pasur ndonjë përcaktim se çfarë ka ndodhur saktë sepse mund të jetë e vështirë”, tha ai.
Por sipas tij, çështja politike është e rëndësishme. “Kosova e Serbia duhet të ulen dhe të flasin për këtë”, tha ambasadori i Gjermanisë.
Ai u shpreh se se është mirë të dihet se ku ka ndodhur marrja e policëve, por nuk e ka këtë qartësi, duke bërë që të kalojë tek cështja e Asociacionit.
“Asociacioni i komunave është pjesë e marrëveshjes pako të marrëveshjeve të nënshkruara dhe obligimi i Kosovës që nga viti 2013 e 2015. Gjashtë qeveri janë ndërruar e nuk është bërë asgjë”, tha ai.
“Unë jam ambasador në Kosovë dhe unë pres nga Kosova që të veprojë dhe e njëjta gjë kërkohet edhe nga ambasadori ynë në Serbi”.
Nga ana e tij, ambasadori i Francës u pyet për “sanksionet” e BE-së ndaj Kosovës. “Nuk do ta përmendja fjalën sanksione në asnjë mënyrë dhe as me apo pa thonjëza. Liderët tanë në deklarata i janë referuar pasojave negative”, tha ai.
“Jemi e kemi qenë miq që nga viti 1999, viti 2008 me njohjen e pavarësisë e kur them ne, flas për të gjitha vendet e Quint-it, vendet fqinje, brenda e jashtë BE-së, si Kroacia e Sllovenia që kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim,në ndërtimin e shtetësisë e shërbimeve”, tha ai.
Ambasadori i Francës u shpreh se është punuar shumë në këtë drejtim dhe ka mbështetur punën e madhe të qytetarëve të Kosovës.
“Dhe jo të gjitha këto rrezikohen, por një pjesë e tyre tkurrën ose mund të jenë më pak të mundshme sepse po humbin diçka që ishte shumë e rëndësishme në marrëdhëniet tona”, tha ai.
“E kjo është dëgjimi i ndërsjellë”. Ambasadori i Francës u shpreh se ata kanë dëgjuar të gjitha nevojat e Kosovës në të gjitha këto pika që ka përmendur.
“Kemi dëgjuar dhe kemi pasur përshtypjen që jemi dëgjuar edhe ne kur kemi pasur kërkesa tona. Tani në javët e fundit kemi përshtypjen se po dëgjohemi më pak e do të ishte e lehtë të kthehemi në pozitën ku dëgjohemi në mënyrë të ndërsjellë”.
I pyetur nëse ka lëkundje të partneritetit, ai tha se ka pasur momente ku ka qenë marrëdhënie më e mirë, por nuk beson se është e vështirë të kthehen në situatën që ishte më parë.
“Kemi disa hapa që duhet të ndërmerren dhe besoj se ka të bëjë me fillimin e hapave të vërtetë në fillimin e punës për ndërtimin e Asociacionit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve që pritet nga Kosova”.
Ambasadori i Francës u shpreh se nuk ka qenë absolutisht e pamundur që të bëhet kjo. “E kur të bëhet kjo, jam i bindur që atmosfera do të kthehet e do të bëhet më e mirë siç ka qenë më parë”.
Ambasadorët: Propozimi franko-gjerman rrugë e mesme, në fund njohja
Në këtë intervistë, Jorn Rohde deklaroi se ai dhe kolegu i tij francez, janë ambasadorë në Kosovë. “Prandaj merremi me Kosovën. Por sa u përket deklaratave të Kurtit se presioni duhet t’i drejtohet Serbisë, ka presion edhe ndaj Serbisë”, tha Rohde, duke rikujtuar se edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka kërkuar lirimin e pakushtëzuar të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që po mbahen në Serbi.
“Kemi kërkuar uljen e nivelit të gatishmërisë së forcave ushtarake të Serbisë dhe e gjithë poenta e këtyre dhjetë minutave të fundit në këtë intervistë është se po flasim për menaxhimin e krizës së tashme momentale, pa iu kthyer çështjeve të tjera si puna, drejtësia, zhvillimi ekonomik,”, tha ambasadori i Gjermanisë.
Sipas tij, tani po flitet për kamionë që mbesin në kolona në kufij e njerëz që nuk mund të udhëtojnë përtej kufirit.
“ A e duam këtë? Sigurisht që jo! E kemi parë javën e kaluar një deklaratë shtypi të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare e ku paqartësia ekonomike është helmuese për zhvillimin ekonomik”, tha ai, sipas të cilit, janë kompanitë gjermane që do ta pyesin nesër për këtë situatë.
“Nesër do të kemi bisedë në Zoom me drejtues kompanish gjermane sepse na pyesin se çfarë po ndodh në Kosovë”, tha ai.
“E nëse ka një klimë që nuk është fort e qartë e fort e sigurt, pra nuk është gjë e mirë. Nëse i kthehemi pamjes së gjerë e që është dialogu, Gjermania e Franca, kemi investuar shumë’, tha ai, duke qartësuar se propozimi gjermano-francez i miratuar nga BE-ja, është rruga e ndërmjetme, e cila në fund do të sjellë njohjen e plotë.
“Por ka shumë përfitime për Kosovën dhe i bëjmë thirrje Qeverisë që të mos e humbë vështrimin nga ajo e të hyjë menjëherë në menaxhim të krizës”.
Ndërkohë, ambasadori i Francës, i pyetur se çfarë të bëhet me grupet kriminale që janë në veri të vendit, tha se nuk ka tolerancë ndaj dhunës dhe nuk mund të ketë pa ndëshkueshmëri.
“Ka rregulla që duhen zbatuar që të bëhet ballafaqimi me këtë çështje. Normalisht të arrestohen ata që janë përgjegjës për këtë çështje nga ana jonë”, tha ai.
“Nuk ka kurrfarë dyshimi dhe nuk duam kurrfarë dhune e kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.
Ambasadori i Francës në Kosovë u shpreh se kjo duhet të bëhet në atë mënyrë që të mos shkaktojë edhe më shumë përshkallëzim.
“Jo diçka që është specifike për Kosovën, por policia duhet të veprojë në një mënyrë që të mos hedhë benzinë në një krize tjetër”.
Sipas tij, nuk ka asnjë pikë tolerance ndaj kryesve të këtyre akteve. “Kemi kërkesa edhe për Serbinë që të ketë klimë të lirisë e drejtësisë dhe që nxit pjesëmarrjen në zgjedhje dhe siç kanë thënë drejtuesit e shteteve tona, duam pjesëmarrje në zgjedhje nga popullata serbe, pra duhet të ketë klimë që nxit pjesëmarrjen në zgjedhje”.
Ambasadorët: U veprua kundër këshillave tona, kjo s’ndihmoi situatën
Ambasadori gjerman në Kosovë u shpreh se nuk ka deklaruar se Kosova ka provokuar apo nxitur dhunën në veri.
“Me 3 qershor, me kërkesat që i kemi bërë palës së Kosovës për të de-eskaluar situatën, ashtu i kemi bërë kërkesë edhe palës serbe dhe pastaj ka pasur incidente të tjera”, tha ai, duke shtuar se “ishte edhe sulmi ndaj gazetarëve të RTK-së,dhe e dimë se sulmi nuk është bërë nga Kosova”.
Sipas tij, kur nuk bëhet de-eskalimi i situatës, atëherë hapet dera për eskalim të mëtejshëm dhe kjo ka ndodhur, e tani ka probleme edhe në kufi ku njerëzit nuk mund të dalin e hyjnë.
“ Ajo që duam është de-eskalimi e kjo nuk ka ndodhur. Kemi kërkuar lirimin e pakusht të tre policëve dhe javën e kaluar është dërguar një letër e përbashkët nga presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë e Kryeministrja e Italisë për Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar të dëgjojë këshillat tona për de-eskalim”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
Ai shpjegoi se në veri, është një kryetar në ndërtesën e komunës dhe tre të tjerë nuk janë aty, prandaj mund të de-eskalojë situata.
“ A ia vlen të kemi më tej gazetarë të lënduar? Jo! Prandaj duhet një zgjidhje dhe duhet të flasim me njëri-tjetrin e jo për njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Rohde tha se asnjëra palë deri më tash nuk ka shfaqur interesimin për të de-eskaluar dhe kjo është nevoja e këtij momenti sepse qytetarët vuajnë.
“Është vepruar kundër këshillave tona dhe kjo nuk ka ndihmuar situatën. E dimë se situata në veri është komplekse dhe bile edhe kryeministri Kurti e thotë se kryetarët që janë zgjedhur me 2% të votuesve atje, mund të mos jenë përfaqësim i duhur e mund të ketë zgjedhje të reja”, tha ai.
“Nëse këtë e kemi të qartë, atëherë mund të drejtoni veprimet diku tjetër e jo të ketë eskalim përtej eksalimit”.
Kreu i diplomacisë gjermane në Kosovë tha se tani pushimet e verës kanë filluar e diaspora ka filluar të vijë në Kosovë. “E nëse keni probleme në kufi, si duhet t’i minimizojmë këto gjëra. De-eskalimi është gjëja që e kërkojmë e palët të takohen e të flasin për kompromise e jo për beteja fjalësh”.
Nga ana tjetër, i pyetur se përse pesë pikat e kryeministrit Kurti për de-eskalim të situatës nuk janë të mjaftueshme, por janë të mjaftueshme vetëm kërkesat e ambasadorëve të QUINT-it, ambasadori francez tha se ka pasur sugjerime nga shumë vende.
“Dhe kërkesat tona nuk janë vetëm dëshirë e një apo dy vendeve, por është e gjithë BE që e kërkon këtë”, tha ai.
“Kur 27 vende të BE-së, Britania e Madhe e SHBA pajtohen në të njëjta qëndrime, nuk besoj se jemi të gabuar dhe mendoj se duhet të dëgjohemi”, tha ai.
Sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, ajo që i është sugjeruar kryeministrit Kurti dhe Serbisë, është de-eskalimi, zgjedhjet dhe pastaj rifillimi i dialogut për normalizim.
“Hap shumë i rëndësishëm që duhet të bëhet është puna në statutin e Asociacionit dhe këtë e kanë thënë presidenti Macron e kancelari Scholz së fundi në Moldavi”, tha ai.
“Për de-esaklim nuk mendoj se është e vështirë, pra që kryetarët të punojnë nga lokacione të tjera”.
I pyetur nga RTK se përse në këtë situatë aktuale, duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit, ambasadori i Francës u shpreh se ai është pjesë e dialogut, drejt zbatimit të marrëveshjes që është pjesë e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e Ohër.
“Pra është hap i rëndësishëm në normalizim”.
Ai tha se kur flitet për de-eskalim, është afat i shkurtër si veprim dhe duhet parë drejt së ardhmes sepse e tashmja e Kosovës duhet të jetë normalizimi.
“Kosova pret të fitojë shumë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në aspektin e pasjes së marrëdhënieve paqësore në kuptimin e dokumenteve, njohjes së diplomave etj”, tha ambasadori i Francës në Kosovë.
Sipas tij, kjo është e rëndësishme. “Një hap që pritet nga Kosova është fillimi i punës për statutin e Asociacionit dhe kjo nuk është asgjë e re”.
Ai tha se beson se nuk duhet humbur vështrimin nga objektivi strategjik e ai është normalizimi. “E këtë e kemi të përbashkët si qëllim me Kosovën që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve”.
Ambasadorët: De-eskalimi në veri, lehtë i arritshëm
Ata kanë konfirmuar se tani raportet e Qeverisë së Kosovës me vendet e tyre kanë njohur ftohje të theksuar dhe se kërkojnë përmirësim të tyre, pasi kryeministri Albin Kurti të ndërmarrë hapat për de-përshkallëzim të situatës në veri të vendit.
Sipas tyre, kjo është e lehtë të bëhet, duke larguar kryetarët nga ndërtesat, dhe që ata të punojnë nga vende të tjera, deri në zgjedhjet e ardhshme që duhet të mbahen në katër komunat me shumicë serbe.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, deklaroi se situata në veri të Kosovës nuk është e kënaqshme dhe se atje ka pasur përplasje.
“Kurse nuk kemi pasur dialog dhe tani është koha më e rëndësishme që Kosova e Serbia të takohen shumë shpejt që situata të de-eskalojë”, tha Rohde, sipas të cilit, “ajo që e di është se është bërë ftesë për takim në Bruksel”.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, prandaj nuk mund të them asgjë më shumë”.
Nga ana e tij, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, deklaroi se situata në veri të Kosovës nuk është aspak e kënaqshme.
“Duhet të kthehemi menjëherë tek arsyeja e krizës aktuale që e kemi e që ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës që të hyjnë me forcë në objektet e komunës”, tha Gueror në “RTK Prime”.
Ai tha se e di që ky ka qenë problemi i daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhje e që sipas tij, ishte fatkeqësi sepse zgjedhjet ishin të domosdoshme për shkak të dorëheqjes së kryetarëve.
“E që edhe dorëheqjet e tyre ishin fatkeqësi dhe të gjithë e kemi thënë këtë, por tani duhet të bëjmë përpjekje për të zgjidhur situatën”, tha ai.
“Siç kemi thënë disa herë, duhet të bëhet de-eskalimi i situatës e që nuk është vonë”.
Guerot u shpreh se Qeveria e Kosovës e di se çfarë i kërkohet të bëjë. Ai tha se hapat nuk janë edhe aq të vështirë të bëhen, pasi kryetarët e komunave duhet të dalin nga ndërtesat dhe policia në veri të mos jetë në afërsi apo përreth objekteve.
“Këto janë masa që nuk do të duhej të ishin aq të vështira që të zbatohen dhe i bëjmë thirrje palëve që të ndërmarrin këto veprime”.
I pyetur për faktin se vetëm kryetari i Leposaviqit është në ndërtesë të komunës, kurse të tjerët nuk janë dhe përse në këto tri komunat e tjera nuk ka shtensionim të situatës nga serbët lokalë, ambasadori francez u shpreh se pajtohet me këtë konstatim.
“Pra flasim për një ose dy persona në objekte dhe kjo do të ishte hap i lehtë për tu ndërmarrë, por situata e tanishme ka çuar në një përshkallëzim dhe ka një hap të rëndësishëm për tu ndërmarrë dhe njerëzit të qetësohen dhe të bëjnë jetë normale”.