Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaNaser Pajazitaj dorëzon kërkesën për dëmshpërblim, ia kërkon Shtetit mbi 1.1 milion

Naser Pajazitaj dorëzon kërkesën për dëmshpërblim, ia kërkon Shtetit mbi 1.1 milion

Mbi 1 milion euro mund t’i kushtojë Shtetit mbajtja në burg e Naser Pajazitajt, për rreth shtatë vjet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt. 63-vjeçari është liruar nga akuza për vrasje më 6 prill të këtij viti nga Kolegji Penal i Gjykatës Supreme. Gazeta Express ka siguruar kërkesën për kompensim, ku tregohet në detaje se për çfarë po kërkon ai dëmshpërblim.

Naser Pajazitaj ka dorëzuar kërkesën për kompensim te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes avokatit të tij Ahmet Tahiri.

Ai po kërkon nga Shteti mbi 1.1 milion euro për vjetët e kaluara prapa grilave si i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Gazeta Express e ka siguruar kërkesën për kompensim që i ka shkuar Komisionit për kompensim dëmi të personave të privuar nga liria pa bazë, ku sqarohet për çka po kërkohet kompensim.

Aty figuron se 107 mijë e 460 euro po kërkohen në emër të qëndrimit në paraburgim, 14 mijë e 400 euro në emër të vizitave familjare në paraburgim, 28 mijë e 800 euro në emër të fitimit të humbur dhe 1 milionë euro në emër të dëmit material. 335 euro të tjera kërkohen në emër të përpilimit të kërkesës për kompensim dëmi.

“I dëmtuari ka qëndruar në paraburgim prej datës 22.12.2015 deri me datën 06.03.2018 dhe nga data 25.03.2019 deri më datën 06.04.2023, në ora 15:00”, thuhet në kërkesë.

Vendimin për lirimin e Pajazitajt nga akuza për vrasje e ka marrë Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, më 6 prill të këtij viti.

Këtë vendim, Supremja e ka arsyetuar duke thënë se “nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes”.

“Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim, Supremja ka drejtuar kritika ndaj Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

“Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat përdorën një standard minimal të të provuarit dhe kundruall kësaj shqiptuan dënim maksimal dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal”, thuhet në njoftimin e Supremes”, thuhet në aktgjykim.

Naser Pajazitaj është gjykuar tri herë për këtë rast. Në mars të vitit 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në mungesë të provave. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, në korrik të vitit 2019.

Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet, atë e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast. Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Më 27 maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli e kishte kthyer sërish rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Apeli kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Më 6 prill të këtij viti, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Pajazitajn nga akuza për vrasje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments