Evropa duhet të përgatitet për valë edhe më vdekjeprurëse të të nxehtit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, sipas një raporti gjithëpërfshirës të botuar sot, i cili thekson se Kontinenti i Vjetër, i cili po ngrohet më shpejt në botë, ishte rreth 2.3 gradë Celsius më i ngrohtë vitin e kaluar sesa në epokën para-industriale.
Thatësira që shkatërron të korrat, temperaturat e larta rekord të sipërfaqes së detit dhe shkrirja e paprecedentë e akullnajave, janë vetëm disa nga pasojat e përmendura në raportin e Organizatës Botërore Meteorologjike dhe Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të Bashkimit Evropian, transmeton Telegrafi.
Në kontinentin, i cili është ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale që nga vitet e 80-ta, vera më e nxehtë në histori u regjistrua vitin e kaluar dhe vende si Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan vitin më të nxehtë.
Bota është ngrohur mesatarisht me pothuajse 1.2 gradë Celsius që nga mesi i shekullit të 19-të, duke shkaktuar një kaskadë shkatërruese të kushteve ekstreme të motit, si valët më intensive të të nxehtit, thatësirat më të rënda në disa zona dhe stuhitë që janë bërë më të dhunshme për shkak të rritjes së nivelit të detit.
Njerëzit më të cenueshëm në botë dhe vendet më të varfra janë goditur më rëndë, dhe është bërë shumë pak për të ndihmuar në uljen e emetimeve të karburanteve fosile që rrisin temperaturën.
Megjithatë, ndikimet negative të motit po bëhen gjithnjë e më serioze në mbarë botën, dhe ngrohje veçanërisht e shpejtë është vërejtur në rajonet e hemisferës veriore dhe rreth poleve.
Temperaturat e larta në të gjithë Evropën “përkeqësuan edhe më shumë kushtet e mëparshme ekzistuese të thatësisë afatgjatë, nxitën zjarre të mëdha pyjore që rezultuan në zonën e dytë më të madhe të djegur në histori dhe mijëra vdekje u regjistruan që mjekët i lidhën me nxehtësinë”, tha Sekretari i WMO, Petteri Taalas.
Në raportin e titulluar “gjendja e klimës në Evropë 2022”, thuhet se temperaturat në të gjithë kontinentin janë rritur me 1.5 gradë Celsius në 30 vjet, pra nga viti 1991 deri në vitin 2021.
Nxehtësia ekstreme vitin e kaluar shkaktoi më shumë se 16,000 vdekje, dhe përmbytjet dhe stuhitë janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të dëmeve të vlerësuara prej 2 miliardë dollarësh të shkaktuar nga moti dhe ekstremet klimatike.
“Fatkeqësisht, të gjitha nuk mund të konsiderohen si një dukuri e njëhershme ose t’i atribuohen mashtrimit të klimës”, shkroi në raport drejtori i Copernicus, Carlo Buontempo.
“Njohuritë aktuale dhe kuptimi aktual i sistemit klimatik, si dhe evolucioni i tij, sugjerojnë se këto lloj ngjarjesh janë bërë pjesë e një modeli që do t’i bëjë streset ekstreme të nxehtësisë edhe më të shpeshta dhe më intensive në të gjithë rajonin”, shtoi ai
Në Alpe, në vitin 2022, pra në vetëm një vit, më shumë akull nga akullnajat u shkrinë se kurrë më parë dhe mund të flitet për një rekord. Arsyeja për këtë është sasia shumë e vogël e borës, verat jashtëzakonisht të nxehta dhe depozitat e pluhurit saharian të sjellë nga era.
Situata është e ngjashme me oqeanet. Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit në Atlantikun e Veriut është më e ngrohta e regjistruar ndonjëherë. Shkalla e ngrohjes në Detin Mesdhe, Detin Baltik dhe Detin e Zi dhe në Arktikun jugor është më shumë se tre herë më i lartë se mesatarja globale.
Valët e nxehtësisë detare, të cilat mund të zhvendosin apo edhe të vrasin specie të caktuara të kafshëve dhe bimëve, kanë zgjatur vazhdimisht deri në pesë muaj në disa rajone. Midis tyre janë pjesa perëndimore e Mesdheut, Kanali anglez dhe zona përreth Arktikut jugor.
Në pjesën më të madhe të Evropës, reshjet ishin më të pakta se zakonisht, gjë që ndikoi rëndë prodhimin bujqësor dhe rezervat ujore, dhe në të njëjtën kohë krijoi kushte të favorshme për shpërthimin e zjarreve në pyje.
Në vitin 2022, u regjistrua zona e dytë më e madhe e djegur në rajon. Zjarret e mëdha shkatërruan pjesë të Francës, Spanjës, Portugalisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke.
Rezervat ujore të Spanjës janë zvogëluar në më pak se gjysmën e kapacitetit deri në korrik 2022, pasi banorët e Gadishullit Iberik përjetuan një vit të katërt radhazi më të thatë se mesatarja.
Në disa pjesë të Francës, fermerët nuk ishin në gjendje të ujitnin arat e tyre dhe kushtet e thata ndikuan gjithashtu në korrjen e grurit dhe vjeljen e rrushit në Gjermani.
Thatësira ndikoi edhe në prodhimin e energjisë, e cila rezultoi në një rënie të energjisë hidroelektrike, por edhe në prodhimin e disa termocentraleve bërthamore që mbështeten shumë në furnizimin me ujë për ftohjen e centraleve.
Megjithatë, raporti përmend një shenjë pozitive për të ardhmen. Në vitin 2022, energjia e erës dhe diellit prodhuan 22.3 për qind të energjisë elektrike të Bashkimit Evropian, duke tejkaluar prodhimin e karburanteve fosile për herë të parë.
Raporti thekson se ky rezultat është për shkak të një kombinimi faktorësh, duke përfshirë një “rritje të konsiderueshme” për shkak të futjes së energjisë diellore gjatë vitit të kaluar.