Tuesday, November 26, 2024
HomeBotaShqetësime për varësinë nga droga të ushtarëve rusë të kthyer nga lufta

Shqetësime për varësinë nga droga të ushtarëve rusë të kthyer nga lufta

“Ministria e Mbrojtjes ka një departament për rehabilitimin psikologjik, por nuk po bëhet asnjë punë reale për trajtimin në shkallë të gjerë të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD)”, tha një doktor i specializuar për varësinë nga droga në rajonin e Rostovit të Rusisë, i cili gjendet në kufi me Ukrainën.

“Mirëpo, kur ata persona shohin tmerret e luftës – gjymtyrë të prera, plagë të hapura, vdekje – shumë prej tyre do të mundohen t’i largojnë ato mendime me alkool dhe drogë. Përndryshe ata do të çmendeshin”, shtoi doktori për REL-in, i cili kërkoi që identiteti i tij të mos zbulohej.

Në mënyrë që të konfirmohet një krizë potenciale, do të merrte kohë së paku një ose dy vjet.

Teksa dhjetëra mijëra ushtarë të regjistruar për të shërbyer në luftën e Rusisë në Ukrainë kanë filluar të kthehen në shtëpi, ekspertët ushtarakë dhe të shëndetit publik që folën për Radion Evropa e Lirë, theksuan shqetësimet për një rritje të varësisë nga droga dhe pasojat e saj në shoqëri.

Sipas statistikave të qeverisë, varësia ndaj amfetaminave sintetike, veçanërisht mefedronit, e njohur shpesh si “kripa” në Rusi, tashmë është në rritje.

Që nga fillimi i qershorit, janë regjistruar raste penale të lidhura me mefedronin në zonën e Krasnodarit, Adygeya, rajonin e Moskës, Kostroma, Kurgan, Chelyabinsk dhe Perm, shumica e të cilave përfshijnë trafikim të dyshuar.

Analistët i thanë Radios Evropa e Lirë se një arsye pse rastet e drogës duket se po shtohen në ushtri, është se ushtarët fillimisht nuk janë kontrolluar për varësi nga droga. Qyteti lindor i Ukrainës, Donjeck, i cili qeveriset nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, është vendi ku trupat ruse kalojnë më së shumti kohë.

Një vullnetar rus që ndihmon në koordinimin e ndihmës humanitare në zonën e konfliktit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se kushtet në Donjeck i shtynë ushtarët të përdorin drogë.

“Është pothuajse një vend që konsiderohet për t’u relaksuar – ka shumë restorante, klube dhe vende të tjera argëtimi. Nuk është e vështirë të blesh drogë. Ushtarët që vijnë nga vija e frontit, veçanërisht ata që janë në gjendje të marrin pagën e tyre në para, përfitojnë nga kjo. Dhe, komandantët priren të mos ndërhyjnë”, tha ai.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë të dosjeve të gjykatave të shumta në Rusinë jugperëndimore, ku ushtarët nga lufta në Ukrainë ka të ngjarë të dalin në gjyq, numri i çështjeve të lidhura me drogën që kalojnë nëpër gjykatat ushtarake ruse tashmë është në rritje.

Në Krasnodar, një gjykatë ushtarake dha një dënim për posedim droge në vitin 2020 dhe tre të tjerë në vitin 2021 dhe 2022. Megjithatë, vetëm në mars të këtij viti pati tri dënime të tilla.

Në shumicën e rasteve që Radio Evropa e Lirë i hulumtoi, gjykata e uli dënimin pasi mori parasysh përvojën luftarake të ushtarit dhe çfarëdo dekorate lufte.

Ushtari me kontratë, Aleksei Sokologorsky, u shpall fajtor në prill nga gjykata ushtarake në Pyatigorsk, në rrethin e Stavropolit, për blerjen e dy gramë substance mefedron në Kamensk-Shakhtinsky, një qytet afër kufirit me Ukrainën.

Gjykata e dënoi Sokologorsky me tre vjet e gjysmë me lirim me kusht, pavarësisht faktit se një dënim për posedim “në shkallë të gjerë” zakonisht kërkon burgim prej tre deri në dhjetë vjet. Kjo u bë pasi mori parasysh një dekoratë ushtarake të fituar gjatë luftimeve në Ukrainë.

Eduard Moiseyev, një tjetër ushtar me kontratë, u shpall fajtor në mars nga një gjykatë ushtarake në Rostov-on-Don, kryeqyteti i rajonit, për blerjen e mefedronit. Pavarësisht nga dosja jo e mirë ushtarake e Moisejevit, gjykata mori parasysh kohën e kaluar duke shërbyer në Ukrainë dhe i dha atij dënimin minimal prej 220 eurosh.

Aslan Dotdayev, gjithashtu ushtar, u gjobit me 330 euro në po të njëjtin muaj nga një gjykatë e Rostovit për posedim të marihuanës. Të dhënat tregojnë se iu gjet droga pasi u arrestua nga policia ushtarake në gjendje të dehur. Gjykata fshehu vendndodhjen e ndalimit të tij, gjë që ekspertët ligjorë pohojnë se është një tregues se krimi ka ndodhur në një zonë të pushtuar të Ukrainës.

Vadim Bai u dënua me gati tre vjet burgim në maj nga gjykata e Krasnodarit, pasi e shpalli atë fajtor për mosbindje ndaj urdhrave gjatë “një kohe mobilizimi dhe aksioni ushtarak”. Ai me sa duket refuzoi të transferohej në një zonë luftimi duke thënë se kishte varësi nga droga. Terapia e tij për varësinë u zhvillua midis dhjetorit 2022 dhe janarit 2023, sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga të afërmit e tij.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments