Ish-drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për të pezulluar licencën biznesore të televizionit, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kelmendi fillimisht ka thënë se nuk ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës.
Ai ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke thënë se po synon ta heshtë median dhe fjalën lirë dhe të kap organet rregulluese të medias.
“Një pushtet i cili synon ta heshtë median, fjalën e lirë, kap institucionet për ta çuar misionin deri në fund. Fillimisht me një portal spekulativ udhëhequr nga militantë partiakë, pastaj në organet rregulluese të medias me njerëz që i kanë instaluar aty”, shkroi ai.
Tutje gazetari Kelmendi kujtoi kohën nën regjimin e kriminelit serb, Sllobodan Millosheviq, për të cilin thotë se në vitin 1999 çoi në gjyq ‘Kohën Ditore’ me synim mbylljen.
“Ka ndodhur edhe një herë gjatë punës sime si gazetar që një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një media. Ishte viti 1999. Kurse pushteti ishte ai i Milosheviqit. Edhe atëbotë ishte gjetur një pretekst. Dy shkrime të botuara, të cilat në fakt ishin përkthime nga agjencia sebe e lajmeve Beta. Me këto Milosheviqi e çoi në gjyq “Kohën ditore” me synim mbylljen. Pastaj me 24 mars, forcat e tij hynë ne redaksi, e vranë rojën dhe shkatërruan gjithçka. Përkohësisht Milosheviqi e mbylli median, por pas disa javësh vazhduam punën në Tetovë dhe ja ku jemi edhe sot, të githë gazetarët, duke i dhënë profesionit më të mirën, por duke e bërë edhe Kosovën më median më të mirë në rajon”, tha më tej ai.
Po ashtu, ish drejtori i KK tha se Kosovës i është dhënë damka më e madhe, se ka pushtete që synojnë të mbyllin media, duke marrë shembull Rusinë, Bjellorusinë, Serbinë dhe Korenë e Veriut.
“Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!”, shkroi në fund Kelmendi.
Kujtojmë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dje ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda ndaj mediumit “Klan Kosova”, ndaj zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Sipas njoftimit, MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” deri në një vendim tjetër.