Tre policë të Kosovës dyshohet të jenë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.
“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe. Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mediat në Serbi është raportuar më herët “për arrestim” të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Mediat në Serbi kanë publikuar fotografi për të cilat thonë se janë tre policët e Kosovës, që të mërkurën, sipas Policisë së Kosovës, janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të vendit.