Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video në të cilën shihet momenti i sulmit fizik të tre të rinjve shqiptarë nga disa pjesëtarë të bandave kriminale që veprojnë në veri të Mitrovicës, saktësisht te sheshi Car Llazar, apo rruga Kral Petra.
Sipas një statusi të publikuar sot në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook thuhet se “prijësi i bandave fashiste që sulmoi KFOR-in, Policinë e Kosovës, dhe dy të rinjtë shqiptarë, Milun Milenkovic – Llune, që njëherazi është edhe njëri prej udhëheqësve të formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ u arrestua dje nga Policia e Kosovës”.
Po ashtu, kjo parti citon edhe deklaratën publike të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, theksoi se ‘koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset’”, përfundon LVV-ja.