Tensionet në këtë zonë janë të larta qysh në fund të muajit maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në objektet komunale, që shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe.
Situata u përshkallëzua në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe Policisë së Kosovës.
Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, më 2 qershor, kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmendi emrat e disa personave, që, siç tha, bartin përgjegjësi për organizim dhe shkaktim të dhunës në veri, por jo edhe atë të Millenkoviqit.
Kurti, ndërkohë, kritikoi Prokurorinë e vendit për “mosveprim”, por ajo nuk e komentoi listën e tij me emra.
Për dhunën në Zveçan, më 29 maj, u arrestuan më herët pesë persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi paraburgim prej një muaji vetëm për dy prej tyre.
Kush është Millun Millenkoviq?
Millenkoviq është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pak kohë pas arrestimit të tij.
“I njëjti ka qenë edhe organizator kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, tha Sveçla.
Aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e tij u zhvillua në Mitrovicë të Veriut.
Për aktivitetet e Millenkoviqit në internet nuk ka shumë informacione publike.
Merret vesh se ai është trajner i klubit të kikboksit “Kosovska Mitrovica” (“Mitrovica e Kosovës”) dhe se ka marrë pjesë në emisione televizive në Serbi.
Sipas intervistave që ka dhënë Millenkoviq, ky klub e ka bazën në pjesën veriore të Kosovës dhe ka më shumë se 100 anëtarë.
Në fotografi të ndryshme të garave sportive, Millenkoviq bashkë me sportistë të tjerë shihen me flamuj ku shkruan “Kosova është Serbi”.
Sipas pamjeve, në zyrat e klubit ka edhe disa fotografi dhe flamuj me mbishkrimin: “Nuk ka dorëzim”.
Kjo thirrje është shkruar edhe nëpër hapësira të ndryshme publike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – bashkë me thirrje të ngjashme për kundërshtimin e autoriteteve të Kosovës.
Çfarë tha Kurti pak para arrestimit të Millenkoviqit?
Pak kohë para se të arrestohej Millenkoviq, kryeministri Kurti kritikoi ashpër Prokurorinë e Kosovës.
Ai tha se nuk e kupton mosveprimin e saj, pasi, siç u shpreh, ekzistojnë qindra fotografi e video-xhirime, në të cilat shihen personat që sulmuan ushtarët e KFOR-it, si dhe Policinë e Kosovës.
“Unë, edhe më tej, nuk e kuptoj Prokurorinë tonë të Shtetit. Nuk e kuptoj se si është e mundur që, përkundër qindra fotografive e video-xhirimeve të shkeljeve të ligjit e të krimeve e të denoncimeve me emër e mbiemër të të gjithë atyre personave, nuk ka veprime nga Prokuroria jonë”, tha Kurti
Ai, po ashtu, e cilësoi si të çuditshëm faktin që Prokuroria, nga dhjetori i vitit të kaluar, nuk ngriti asnjë aktakuzë për personat që vendosën barrikada në rrugët në veri
Grupe serbësh lokalë u rebeluan në atë kohë, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targa të Republikës së Kosovës.
Prokuroria nuk e komenton “listën” e Kurtit
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk dha asnjë informacion sa i takon hetimit të personave të dyshuar për organizim dhe kryerje të dhunës në veri, e as për rastin Millenkoviq.
Sipas Kurtit, udhëheqës i grupit të armatosur që sulmoi KFOR-in, ishte ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandar Fillipoviq.
“Personat që po i shohim të maskuar në video dhe nëpër fotografi, janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandar Fillipoviq, që shtirej sikur është integruar në shtetin tonë”, tha Kurti më 2 qershor.
Fillipoviq ashtu si edhe pjesëtarë të tjerë serbë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me vendimin për riregjistrimin e makinave.
Pak kohë më vonë, Fillipoviq u shpërblye me “Medaljen e Artë për Guxim – Millosh Obiliq” nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke u bazuar në të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë, REL raportoi më 12 maj se Fillipoviq ka qenë në një takim në ambientet e Agjencisë së Informacionit (BIA) në Beograd, më 10 maj.
Po sipas këtij raporti, Fillipoviq ka pasur rol në hapjen e zyrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.
Simonoviq: Kurti gaboi shumë me publikim të emrave
Sërgjan Simonoviq, nga Qendra Humane në Mitrovicën e Veriut – organizatë kjo që monitoron situatën e sigurisë në veri – thotë për REL-in se kryeministri Kurti gaboi kur bëri publikë emrat e të dyshuarve për dhunën në veri.
Sipas tij, Kurti është dashur ta ketë në mendje se “gjithsecili është i pafajshëm përderisa nuk provohet e kundërta”.
“Nuk mund të flasësh në publik, nuk mund të flasësh për media duke publikuar emra dhe duke akuzuar disa persona përpara se ta provosh [fajësinë e tyre]. Nuk mendoj se Kurti e ka menduar mirë këtë përpara se të fliste. Kur ai i bëri publikë këta emra, ishte një veprim i një burri të dëshpëruar”, thotë Simonoviq, duke shtuar se “listat” me emra i kanë shqetësuar qytetarët në veri.
KFOR-i dhe EULEX: Hetimet i bën Kosova
I pyetur nga REL-i, një zëdhënës i NATO-s tha se nuk mund t’i komentojë hetimet që mund t’i kryejnë institucionet e Kosovës për ngjarjet në veri.
Megjithatë, zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, tha më 9 qershor se “disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që u zhvilluan në Zveçan, më 29 maj”.
Ai tha se grupet e dhunshme kanë qenë të organizuara për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.
Nga rritja e tensioneve në veri, prezencë atje ka edhe misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Në një deklaratë për REL-in, ky mision tha se pjesëtarët e tij kanë prezencë në veri “për të vëzhguar situatën në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”.
Derisa Prokuroria po heton edhe sulmet e raportuara ndaj gazetarëve në veri, disa përfaqësues mediash thonë se nuk kanë informacione për ndonjë të arrestuar të mundshëm.
“Djegia e veturës dhe thyerja e kamerës së Tëvë1 na kanë shkaktuar dëm rreth 15 mijë euro. Për rastin e veturës, institucionet e sigurisë kanë intervistuar punëtorë të Tëvë1, por se deri më tani nuk kemi informacione për të arrestuar për këtë rast”, thotë për REL-in drejtori i përgjithshëm i Tëvë1, Dukagjin Maliqi.
Si u tensionua situata në veri?
Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Në tria këto komuna, vetëqeverisja lokale që funksionon sipas sistemit të Kosovës, është e vendosur në të njëjtat objekte ku punojnë edhe autoritetet paralele serbe. Vetëm në Mitrovicën e Veriut, komuna e Kosovës është e ndarë fizikisht nga ajo serbe dhe atje nuk kishte protesta.
Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj, kur grupe qytetarësh serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it në Zveçan. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.
Popullata serbe në veri i bojkotoi zgjedhjet e prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë.
Përfaqësuesit politikë serbë e justifikuan bojkotimin me, siç thanë, mospërmbushjen e kërkesës së tyre për më shumë autonomi.
Derisa Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e situatës, komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova të organizojë zgjedhje të reja lokale, t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe policinë nga veriu, si dhe të kthehet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.