Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, nga ku ka mbetur i arrestuar Milun Milenkoviq një prej drejtuesve të grupit kriminal të njohur si “mbrojtja civile”
Petkoviq ka thënë se “Albin Kurtit i interesojnë vetëm konfliktet dhe lufta”
Këto deklarime politikani serb i ka bërë në një konferencë për media pas aksionit të Policisë së Kosovës.
“Me urdhër personal të Kurtit është arrestuar Milun Milenkoviq i cili është ndjekur me muaj nga policia e Kosovës dhe është kërcënuar me arrestim, sepse është luftëtar i shquar për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës. Ai është arrestuar në një sallon flokësh, i cili ishte i rrethuar nga tetë automjete të blinduara”, ka thënë Petkoviq.
Siç pretendon Petkovic, Milenkoviq “nuk është një kriminel por një sportist i shquar”.
Ai tutje ka kërkuar nga KFOR-i që ta largojë Policinë nga veriu dhe sipas tij sa të ketë forca speciale në veri “s’do të ketë paqe për popullin serb”.
“Është policia e vërtetë e Kurtit, e cila në veri shërben vetëm për të ngacmuar popullin serb. I bëjmë thirrje KFOR-it që të ndërhyjë urgjentisht, për të larguar forcat policore ROSU nga veriu i Kosovës dhe pushtuesit që sulmojnë popullin duarbosh serb. Përderisa ata janë të pranishëm në veri, nuk do të ketë paqe për popullin serb”, tha Petkoviq./