Thursday, November 28, 2024
HomeLajmeKosovaBukoshi: Veriu mund të kthehet në protektorat të OKB-së, Kurti ngriti alarmin...

Bukoshi: Veriu mund të kthehet në protektorat të OKB-së, Kurti ngriti alarmin e kuq në Uashington

Ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, në një intervistë për Gazetën Tema, ka alarmuar se “Veriu mund të kthehet në protektorat te OKB-së” nëse Kosova kthehet në vatër krize.

“Shikoni, një gjë duhet të jetë e qartë. Serbia u detyrua të tërhiqet nga Kosova nën praninë e forcës ndërkombëtare dhe nën premtimin për stabilitet. Nëse Kosova kthehet në vatër krize siç po kthehet, atëherë në veri të Kosovës vepron autoriteti i rezolutës 1244, dhe forcat ndërkombëtare rrezik mund t‘ia heqin nga duart Kosovës Veriun dhe i dalin zot ato forca”, tha Bukoshi.

Sipas tij, fakti që trupat e KFOR e kthyen mbrapsht një zyrtar të qeverisë së Kosovës në Veri pas trazirave është një sinjal se në Veri, “tani zot shtëpie janë forcat ndërkombëtare e jo Kosova”.

“Kështu kalojmë nga një shtet i pavarur që mund ta kontrollonim Veriun përmes veprimeve të mençura, kalojmë në një situatë kur nuk do kemi më të drejta as ta qeverisim e as të shkojmë aty pa leje të KFOR-it. Kjo do ishte goditja më e madhe që shteti i Kosovës do merrte deri më sot”.

“Nuk më interesojnë sanksionet e tjera. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë po humbasim”.

Ai ka thënë se kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të merren seriozisht nga Qeveria e Kosovës, derisa ka shtuar se i beson “ultimatumit amerikan” për Kurtin për ta shtensionuar situatën në Veri.

“I besoj qind për qind. Kam provuar vet situata të tilla të vështira, kur na këshillonin dhe urdhëronin edhe për gjëra shumë më pak të rëndësishme se kjo. Edhe ne kemi qenë të padijshëm kur filluam merreshim me politikë. Dhe unë kam tentuar t’i jap këshilla Holbrookut pas masakrës në Poklek në Drenicë dhe ngjarje të tjera, por kur kam parë reagimet e tyre e kam kuptuar se është tjetër të shikosh gishtin tënd, e tjetër të shikosh pyllin që ke para”, thotë Bukoshi.

“Mësova kur SHBA dërgon mesazhin diplomatik : „we are concerned“ (jemi të brengosur ) duhet të korrigjohesh, por kur thotë „we are deeply concerned“ ( jemi thellësisht të brengosur ) atëherë je në alarm të kuq” .

Për Bukoshin, SHBA-ja nuk mund të jetë gjithë jetën “një dado në dispozicion të Kosovës”.

“Kur Kosova kishte nevojë për SHBA, kur Serbia nuk na linte të ngrinim kokën duke na marrë gjithçka dhe duke filluar të na shfaroste, SHBA u bë me ne. Tani SHBA nuk e ka marrë përsipër që përveç çlirimit të Kosovës të demokratizojë edhe Serbinë. Ndoshta e ka dhe atë objektiv, por nuk besoj se është e gatshme të bombardojë prapë Serbinë pse ka një autokrat në krye. Ai është problem i Serbisë jo më i SHBA. Problem i SHBA ishte kur një diktator shtypte një popull tjetër. Dhe aty na doli zot”.

Bukoshi: Kurti, politikan i rrezikshëm – Pa NATO-n do ishte ne burg duke lexuar Dostojevskin

Bukoshi, ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet identifikuar si “politikan i rrezikshëm” për të ardhmen e vendit.

“Po flas fare pak sertë, mendoj Kurti duhet identifikuar si politikan i rrezikshëm për të ardhmen e vendit që duhet neutralizuar. Përndryshe, dëmet për Republikën tonë do ishin të pamatshme. Po flas si qytetar i Kosovës pa kërkuar leje nga askush. Jetova në tri botë të ndryshme: si qytetar i Kosovës nën Jugosllavi deri në vitin 1989, si politikan që për dhjetë vite luftova për pavarësi dhe më në fund jetova si qytetar i lumtur i Kosovës së lirë pas vitit 1999”, tha Bukoshi.

“Sot, ndjehem i poshtëruar dhe shpesh më kap një ndjenjë trishtimi, kur shoh mungesën e respektit për historinë e Kosovës. Kush mendon se është ky Albin Kurti që abuzon me Kosovën duke u njehësuar me të ?”, ka pyetur Bukoshi.

Ai ka theksuar se me shqetësim i ka parë raportet e “ftohura” mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ditëve të fundit.

Ndërsa kur pyetet për shqiptarët që shajnë e mallkojnë SHBA-të dhe Evropën, Bukoshi thotë se “popujt dhe shoqëritë nuk janë akademi intelektualësh”.

“Njerëzit manipulohen lehtë nëse ke në krye liderë popullsitë që kanë axhendat e tyre të errëta. Shembull eklatant është Millosheviçi që bëri kërdi në ish-Jugosllavi dhe na përvëloi edhe neve. Ibrahim Rugova dhe ne që vendosëm ta lidhim Kosovën me Perëndimin, kishim në anën tonë historinë e Evropës që po ndryshonte në atë kohë. Dhe Kosova u bombardua prej nesh dhe asaj klase politike me dashurinë për Perëndimin si shpëtimtar i Kosovës”, shtoi ai.

Tani sipas Bukoshit, “po bëhet e kundërta”, duke shtuar se “po kthehen folklorizmat e shekullit 20 kur Evropa mallkohej për kufijtë shqiptarë, ndërkohë që Evropa sapo na premtoi që do na hiqte kufijtë e saj”.

“Të shpresojmë se këto ethe tona do kalojnë. Një elitë politike ashtu siç mund ta nxjerrë një popull në dritë nga çrregullimet e brendshme, mund ta zhysë përsëri në errësirë. Shqiptarët kanë dhënë prova qoftë për mirë apo për keq”.

Bukoshi ka folur edhe për intervenimin e NATO-s në Kosovë, derisa ka shtuar se po mos të intervenonte Aleanca Veri-Atlantike“do i kishim sot Arkanët, Sheshelët në hotel “Grand” dhe barbarët serbë duke bërë kërdinë me shfarosje”.

“Ndoshta Albin Kurti do ishte në burg duke lexuar Dostojevskin”.

Kur pyetet për draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Bukoshi theksoi se i pari që duhet “të vraponte” të paraqiste një draft duhet të ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti duhej të merrte atë iniciativë dhe të mos e linte në dorë të Serbisë por as të ndërkombëtarëve. Dhe ky është problemi real. Në mungesë të këtij propozimi nga ana jonë do ketë propozime të tjera. Kryeministri i Shqipërisë është i koordinuar publikisht me aleatët perëndimorë në çdo hap të kësaj krize dhe kjo kuptohet edhe nga fakti se ky drafti famoz i kryeministrit Edi Rama, sikur shkaktoi një gjysmë histeri kolektive në Kosovë, u prit mirë aty ku duhet dhe u vlerësua si serioz”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments