Saturday, November 23, 2024
HomeLajme“Sot ose nesër”, Escobar e Lajçak në pritje të Kurtit, çfarë do...

“Sot ose nesër”, Escobar e Lajçak në pritje të Kurtit, çfarë do të vendos kryeministri?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kohë deri nesër që t’u përgjigjet kërkesave të emisarëve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak me të cilët u takua mbrëmë. Aktualisht, është thënë se “ka sfida” në marrëdhëniet ndërmjet shefit të qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Çfarë do të vendos Kurti?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë sjellë edhe një herë në Prishtinë diplomatët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak në përpjekjen e radhës për ta shuar sërish zjarrin që u ndez në veri rreth dy muaj pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e kishin arritur një marrëveshje, për ndërkombëtarët, historike.

Escobar dhe Lajçak mbrëmë e patën një takim të gjatë dhe të vështirë me Kurtin, nga i cili kërkuan tri gjëra: qetësimin e situatës në veri (që nënkupton edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog. Sot u takuan edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe me liderët e partive opozitare.

Escobar tregoi sot në një takim me gazetarë se Kurti ka dy ditë afat që të pajtohet ose jo me propozimet e ndërkombëtarëve.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha ai. Diplomatët në një takim me gazetarë ka thënë se “kemi disa sfida në marrëdhëniet me kryeministrin”.

Pas Kosovës dy emisarët do të vazhdojnë në Serbi, ku do të takohen me Presidentin e Serbisë nga i cili po ashtu varet marrëveshja për shtensionim dhe zgjedhje të reja në Veri. Escobar theksoi se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje duhet të jetë pa kushte.

Ndërsa kur u pyet për “veton’ Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Vuçiq tha se pikërisht kjo është arsyja pse duhet të themelohet Asociacioni – për ta hequr kontrollin e Serbisë në Veri.

Ndërkombëtarët e kanë bërë përgjegjëse Kosovën për tensionimin e situatës ditëve të fundit në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kurti s’i ka dëgjuar këshillat e Ëashingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para një jave u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçak mbrëmë pas takimit.

Escobar tha se në takimin mbi dy orësh shkoi si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që tani Kurti do t’i marrë parasysh fjalët e tyre.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha ai.

Escobar ushtroi trysni ndaj Kryeministrit Kurti gjatë qëndrimit në Kosovë ndërsa zbuloi se ai e ka një draft statut të Asociacionit por nuk po e shpalos. Po ashtu refuzoi të përgjigjet se kur duhet të themelohet Asociacioni para apo pas zgjedhjeve në Veri duke thënë se kjo u takon europianëve që e kanë në dorë “sekuencimin”.

“Shiko sekuencimin do t’ia lë BE’së dhe z.Lajcak. Pozicioni ynë është që marrëveshja duhet të realizohet menjëherë” ka theksuar ai.

Të dy diplomatët thanë se janë “në fillim të misionit” të tyre, i cili do të zgjasë dy ditë.

“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçak.

Çfarë tha Kurti?

Në njoftimin për takimin, Zyra e Kryeministrit Albin Kurti tha se shefi i qeverisë kosova shprehu “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Kurti, siç njoftoi ZKM-ja, ka thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve” si dhe u ka kërkuar dy të dërguarve që të bëjnë thirrje për ndaljen e dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim për kryesit.

U tha se Kurti ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, por duke thënë se atyre mund t’iu hapë rrugë sundimi i ligjit.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments