Kosova dhe liderët e saj ka dy javë që po qarkullojnë nëpër mediat më të mëdha të botës. Kjo pas situatës së tensionuar të krijuar në veri të vendit si rezultat i vendimit të kryeministrit Albin Kurti për t’i vendosur katër kryetarët e rinj në objektet e komunave. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë qortuar ashpër kreun e Qeverisë së Kosovës, duke kundërshtuar ashpër atë që e kanë quajtur “vendim të njëanshëm” të kryeministrit Kurti. Sekretari Blinken ka thënë se një veprim i tillë i Kurtit do të ketë pasoja edhe për raportet Kosovë-SHBA, ndërkohë që ushtria e Kosovës me vendimin e amerikanëve është përjashtuar nga “Defender Europe 2023”.
Se veprimet e Kurtit në veri të Kosovës nuk i kontriubojnë stabilitetit të rajonit e ka thënë sot edhe gazetari gjerman me përvojë në zhvillimet në Ballkan, Michael Martens, përmes një shkrimi në gazetën më të madhe gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Në hyrje të këtij shkrimi, Martens potencon se pavarësisht dhunës së vazhdueshme në veri të Kosovës, vendimet e kryeministrit Albin Kurti janë në një linjë me planet e Serbisë për destabilizim të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Dhuna është konstante në veri të Kosovës. Megjithatë, politikat e kryeministrit të Kosovës Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit”, shkruan në tekstin e botuar sot në Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Martens tutje potencon se një konflikt në rajonin e Evropës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit momentalisht.
“Një konflikt i ri në oborrin e Evropës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit tani”, thuhet tutje në tekstin e FAZ.
Teksti i Martens mban titullin “Kush po bën faull (lojë të gabuar) në Kosovë” dhe është publikuar sot në gazetën më të madhe të Gjermanisë, Frankfurter Allgemeine Zeitung.