SPAK ka nxjerrë një urdhër-arresti për Sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila mësohet se akuzohet për korrupsion.
Në pranga ka rënë edhe një punonjëse tjetër e ministrisë, identiteti i të cilës ende nuk është bërë i ditur.
Sipas informacioneve të para, mësohet se Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë ryshfet. Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe dyshohet për korrupsion.
Arrestimin e saj e bëri të ditur më herët Kryeministri Edi Rama gjatë takimit falenderues në Tiranë, kur tha se një ish-sekretare e përgjithshme është kapur në flagrancë duke marrë lekë.
“Një ish-sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë”, tha Rama.