Pas disa ditësh tension dhe refuzim të kërkesave amerikane, zgjedhjet e reja në komunat veriore hynë në ekuacion. Macron dhe Scholz i kanë kërkuar Presidentes Osmani të mbajë zgjedhje të reja në veri dhe ajo nuk i ka refuzuar. Kurti ishte pozitiv për këtë opsion gjatë bisedës me një zyrtar të Bidenit, pas një jave përplasjeje me Departamentin Amerikan të Shtetit. Kështu llogaritet të mbyllet episodi më i ri i tensioneve në veri, që kësaj radhe kushtoi me sanksione të Amerikës dhe ushtarë të KFOR-it, qytetarë dhe gazetarë të lënduar.
Kryeministri Albin Kurti shkoi të mërkurën në një konferencë në Bratisllavë, për të mbrojtur versionin e tij për tensionet në veri, ndonëse ishte dënuar e ndëshkuar publikisht nga aleatët perëndimorë.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, veçse kishte thënë të martën në Prishtinë se Kurti nuk u është përgjigjur kërkesave të SHBA-së për t’i hequr kryetarët shqiptarë nga tri komunat veriore dhe njësinë speciale nga këto hapësira.
Një artikull në gazetën britanike “The Guardian”, e citoi Kurtin duke thënë se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore nëse dhuna merr fund. I binte që ai kishte lëshuar pe, pasi deri atëherë insistonte se për momentin, edhe pse ishin zgjedhur me përqindje të vogël votash, askush nuk ishte më legjitim se kryetarët e rinj për të qenë në objektet komunale.
Ndërkaq, të enjten mbrëma, pati zhvillime përtej artikujve të gazetave. Përveç kërkesës që kryetarët të punojnë në objekte alternative dhe policia të tërhiqet nga objektet komunale, hyri në lojë edhe opsioni i zgjedhje të reja.
Presidentja Vjosa Osmani dje kaloi ditën në Moldavi, ku ishin edhe top liderët evropianë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që të mbahen zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.
Presidentja nuk e ka refuzuar kërkesën e Presidentit Macron dhe Kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
Me gazetarët e huaj ajo ishte e disponuar të tregojë se si vendi mund të shkojë në zgjedhje. Tha se duhet bashkëpunimi i serbëve në Veri dhe konstruktiviteti i Vuçiqit.
“Unë i informova (Macronin e Scholzin), se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, tha ajo.
Për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, shkroi edhe vetë Kryeministri Kurti mbrëmë pas një bisede telefonike me Zëvendëskëshilltarin e Bidenit për Siguri Kombëtare, Jonathan Finer.
“E falënderova për thirrjen [zv.këshilltarin] dhe u zotova për ta de-eskaluar tensionet. Kjo kërkon fundin e menjëhershëm të dhunës nga bandat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në këto komuna”, ka thënë Kurti.
Telefonata nga Shtëpia e Bardhë ka ardhur pasi Kurti e ka quajtur “të padrejtë” dhe “naive”, deklaratën e Sekretarit amerikan Antony Blinken, ku dënonte “hyrjen e dhunshme” të kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave veriore. Përveçse ka nxitur reagime për gjuhen e përdorur ndaj Shefit të diplomacisë amerikane, Kurti po kritikohej që solli punën aty ku SHBA-ja lanson sanksione ndaj Kosovës. Mbetet të shihet nëse Kurti do t’i thotë përfundimisht po zgjedhjeve që nënkupton edhe kërkesat për tërheqje të policisë speciale dhe që kryetarët të punojnë në objekte alternative.
Mbrëmë, natën diplomatike e ka përmbyllur Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borell.
Në një postim në Twitter, pas takimit mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrelli ka publikuar tri kërkesat “e qarta” për Kosovën dhe Serbinë. Ai ka kërkuar zgjedhje të reja në veri menjëherë, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, ka shkruar Borrell.
Sot është dita e shtatë e ritensionimit të veriut, pas hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale. Ndërkaq, është dita e pestë që para atyre objekteve po qëndrojnë turma të serbëve.
Mbajtja e zgjedhjeve është kthyer në kërkesën kryesore të ndërkombëtarëve. Gjatë ditës, edhe Kryediplomati i Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani, që kryeson OSBE-në, e cila luan rol të rëndësishëm në zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, ka thënë se i përkrah mbajtjen e tyre dhe kthimin e serbëve në institucione.
Komunat veriore kanë shkuar në zgjedhje pas dorëheqjeve masive të serbëve të veriut nga institucionet publike, në nëntor të vitit të kaluar. Zgjedhjet ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor, por, me kërkesë të ndërkombëtarëve, Kosova i shtyu ato për në prill. Lista serbe, që është partia kryesore e serbëve në Kosovë, i bojkotoi ato zgjedhje dhe numri i qytetarëve që votuan ishte shumë i vogël, për shkak të thirrjeve të kësaj partie, që konsiderohet që e kontrollon veriun. Të gjithë kryetarët e zgjedhur të katër komunave, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, ishin shqiptarë. Perëndimi përkrahu mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por kërkoi që ata të mos shkojnë në objektet komunale, për t’i evituar tensionet.