Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKurti nga e premtja në kolizion me SHBA’në, Hovenier përpiqet t’ia ndërrojë...

Kurti nga e premtja në kolizion me SHBA’në, Hovenier përpiqet t’ia ndërrojë mendjen duke e paralajmëruar

Kryeministri Albin Kurti e ka irrituar SHBA-në me qëndrimet e fundit, ndërsa situata është tensionuar në veri. Ai thotë se “po punojmë ngushtë me SHBA-në, por nga Washingtoni i ka ardhur tashmë një ndëshkim për shkak se nuk i përfilli këshillat e amerikanëve. Ndërsa janë paralajmëruar edhe pasoja të tjera, Kurti thotë se me SHBA-në ka “një dallim të vogël” në qasje. Ndërkohë, “nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Të enjten, Hovenier doli me disponim më të mirë nga takimi me Kurtin, duke thënë se ka pasur diskutim të mirë me shefin e qeverisë. Por, tha se nuk mund të thotë se ia ndryshuar pozicionin.

Ndërsa presioni ndërkombëtar për shtensionimin e situatës në veri të vendit po rritet, kryeministri Albin Kurti duket se vetëm sa po e përforcon qëndrimin e tij se kryetarët e rinj shqiptarë duhet të punojnë nga objektet komunale.

Pasi të premten e javës së kaluar e çoi Policinë për t’ua mundësuar kryetarëve të rinj hyrjen nëpër objektet komunale, të njëjtin qëndrim e përsëriti edhe sot, gati një javë pas.

“Ata kandidatë që kanë garuar dhe fituar duhet ta bëjnë punën se për këtë paguhen dhe vendi i punës së kryetarit duhet të jetë në ndërtesën publike të Komunës sepse ndërtesa publike është ajo e komunës”, tha Kurti.

Ndërkombëtarët i kanë kërkuar atij që kryetarët të punojnë në objekte alternative dhe që ta tërheq Policinë prej atyre objekteve.

Këmbëngulja e shefit të Qeverisë së Kosovës se kryetarët duhet të shkojnë në komuna rezultoi me përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i madh ndërkombëtar ushtarak, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha të martën në një takim me gazetarë se kjo është “pasoja e parë” për Qeverinë e Kosovës, që, siç tha ai, nuk i dëgjoi kërkesat e Washingtonit për shtensionimin e situatës.

Kurti i ka quajtur të gabuara sanksionet e para të SHBA-së.

“Ata që po flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë dhe më thellë. Serbia nuk po i vendos sanksione Federatës ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të shtetit tim, kështu që ndoshta ata duhet të sanksionohen”, tha ai të mërkurën në një intervistë për “Financial Times”.

Ai tha se “nuk mendoj se çfarëdo sanksioni ndaj Kosovës… është masa e duhur”.

Shumë shenja të tërheqjes nuk u duk se dha as në Bratisllavë, nga ku të mërkurën tregoi se si e sheh zgjidhjen.

“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë hekurudhë e lakuar, por me dy binarë. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti në një forum atje.

Të premtën, ditën kur nisi e gjithë kjo, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.

Këtë deklaratë, Kurti të martën e ka quajtur naive në një intervistë për “The Guardian”.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti. “Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

“Po punojmë ngushtë me SHBA-në”

Pak pasi e mori ndëshkimin e parë nga Shtetet e Bashkuara të martë, kryeministri Albin Kurti tha përmes një video-mesazhi se “orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët”.

Po atë natë foli në CNN për situatën.

“Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te një milici fashiste”, ka thënë Kurti.

Përjashtimin nga “Defender Europe ’23”, Kurti e quajti “fatkeq dhe të padrejtë” të mërkurën.

“Më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, tha Kurti për REL-in.

Në “Financial Times” Kurti e quajti “mik dhe partner kyç” SHBA-në dhe tha se e pranon se “sa i përkeq qasjeve kemi pasur një dallim të vogël”.

Situata është tjetër nëse dëgjon dhe lexon fjalët e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili të martën tha se “në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”.

Ai ka paralajmëruar se një tjetër ‘ndëshkim’ me të cilin mund të përballen liderët kosovarë tash, është refuzimi i zyrtarëve të lartë amerikanë për t’i takuar.

“Do të befasoheshim sikur në rrethanat e tanishme do të kishte gatishmëri për takime të zyrtarëve të lartë, edhe nga SHBA-ja në Kosovë, edhe anasjelltas”.

Nuk dihet se sa kohë ka Kurti për të ndryshuar mendje, por Hovenier ka thënë kështu: “Nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri”.

I pyetur nëse kanë arritur që ta bindin kryeministrin Albin Kurit për një gjë të tillë, Hovenier kur doli nga takimi me Kurtin, ka thënë se s’mund të thotë që ia kanë ndërruar pozicionin, por që kanë pasur një diskutim të mirë.

“I kam përsëritur qëndrimin amerikan për atë çfarë duhet të ndodhë, e që është se ne nuk shohim nevojë që në këtë kohë tre kryetarët të ushtrojnë detyrën e nga ato objekte dhe nuk besojmë që do të jetë kontribuese që policia e kosovës të jetë në objekte”, ka thënë Hovenier.

Ai pret që Kurti të pajtohet që kryetarët të punojnë në objekte alternative dhe që policia të largohet nga objektet e komunave.

“Shpresoj që do të kalojmë këtë dhe s’do të ketë më nevojë për pasoja” ka thënë diplomati amerikan.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments