Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaNga Moldavia, Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje për ndalje të dhunës

Nga Moldavia, Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje për ndalje të dhunës

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.

Përpara fillimit të samitit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ata që shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi për ato akte.

“Më duhet të insistoj se dhuna nuk është zgjidhje. Dhuna duhet dënuar. Dhe autorët e kësaj dhune duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Borrell.

Ai paralajmëroi takim për situatën në veri me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi për të njëjtën temë kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratislavë, të mërkurën e 31 majit.

Kreu i diplomacisë evropiane paralajmëroi se duhen shmangur përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara.

Në një postim në Twitter pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t’ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments