Një numër i konsiderueshëm i personave të maskuar janë pjesëmarrës në protestat që po mbahen në veri të vendit. Informacionet që vijnë nga Zveçani thonë se këta persona janë të pajisur edhe me koktej molotovi, për të cilët ka dyshime se po qëndrojnë në gjendje “gatishmërie” për përdorimin e tij. Madje Express nga strukturat e sigurisë merr vesh se dyshohet se ata kanë plane ta hedhin Molotovin në objektin e Komunës së Zveçanit.
Express ka siguruar një fotografi të këtyre personave me maska që kanë molotov afër vetes.
Ndryshe, një numër i madh i protestuesve që nga mëngjesi janë mbledhur para objekteve të komunave në veri në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ku kohë pas kohe po shënohen edhe incidente atje.
Pak më parë u sulmuan dy ekipe të gazetarëve në Leposaviq.
Pas sulmeve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar dëmtimin e veturave të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini.
Përmes një reagimi në Facebook, AGK kërkoi nga organet ligjzbatuese kujdes të shtuar për punë të sigurt gazetarëve në raportim nga veriu.
Policia në mëngjes ka njoftuar se protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, por aty Policia është detyruar të përdorë “mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”.
Për sigurinë atje po kujdeset Policia e Kosovës dhe KFOR-i, por të paktën një veturë e këtyre të fundit ishte cak i protestuesve për të shënuar simbolin Z, që identifikon luftën e Putinit në Ukrainë.
Ndërsa me vezë është gjuajtur në drejtim të autoblindave të policisë.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani tha se situata është thellësisht shqetësuese në veri duke theksuar që mos të bëhet hyrja me forcë në objektet e komunave atje.
Edhe sipas kryeministres serbe, Ana Bërnabiq “situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e vështirë”.