Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeRukiqi kritikon Qeverinë: Është shkëputur me realitetin, po preket direkt xhepi i...

Rukiqi kritikon Qeverinë: Është shkëputur me realitetin, po preket direkt xhepi i qytetarëve

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka vlerësuar si të rëndë gjendjen ekonomike në vend. Sipas tij, me mosveprimet e Qeverisë, po vazhdon të rëndohet xhepi i qytetarëve.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) konsideron se qytetarët janë në gjendje më të vështirë se sa para dy vitesh.

Goditje të madhe, sipas Rukiqit po i jep edhe inflacioni i lartë dhe ngritja e çmimeve. Për këto të dyja, sipas Rukiqit do të duhej të ishte alarm për Qeverinë e Kosovës.

“Për të reaguar duhet me pranuar që ke një krizë. Nëse sot e pyet një qytetar se a qëndron më mirë sa i përket mirëqenies sa i përket përballimit të kostos së jetës në raport me para dy viteve, secili sigurisht se ka me u përgjigj që është në gjendje shumë më të vështirë dhe shumë më të rëndë ekonomike edhe normalisht se do duhej të ishte një lloj alarmi për Qeverinë për të vepruar”, u shpreh Rukiqi, teksa thotë se ekzekutivi nuk po e pranon që ka krizë ekonomike.

“Kur një Qeveri e merr pushtetin, e ka për detyrë të kujdeset që jetesa e qytetarëve të jetë më e mirë, që qytetarët të kenë mundësi të përballojnë kostot e jetesës dhe fatkeqësisht Qeveria nuk e pranon që ka një krizë ekonomike në vendin tonë e cila nuk është në tërë dimensionin e krizës ekonomike mirëpo është e pjesshme dhe është në një pikë të ndjeshme, për shkak se preket drejtpërdrejt xhepi i qytetarëve dhe që është kjo rritja e vazhdueshme e rritjes së çmimeve në dy vitet e fundit, një inflacion që nuk e ka parë vendi dhe në të njëjtën kohë një mosveprim që nuk e ka parë vendi”, thotë Rukiqi.

Teksa ka folur për platformën “Superpuna”, Rukiqi e vlerëson si joreale, pasi thotë se krijimi i vendeve të punës mund të bëhet edhe pa subvencione në periudha të caktuara.

Rukiqi thotë se Qeveria Kurti është “shkëputur me realitetin”.

“Në rrethana normale për një periudhë të caktuar edhe pa subvencione mund të hapen një numër i tillë i vendeve të punës, pra kur na flet Qeveria, unë kam përshtypjen se janë shkëputur me realitetin dhe ishte dëshmia e raportit të Bankës Botërore për dekadën e fundit që vlerësoi çdo element sa i përket avancimit ekonomik të Kosovës në pikat kyçe, përfshirë edhe GDP për kokë banori”.

“Pra shihet se sot Kosova ka bërë atë progres në dekadën e fundit dhe kur na vijnë këto paraqitje të Qeverisë me platforma si ‘Superpuna’, përshtypja ime është që kjo Qeveri ka një shkëputje me realitetin, edhe në të kaluarën edhe në të tashmen”, thotë Rukiqi./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments