Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeMe propozim-amendament, Serbia i vazhdon tentativat për ta penguar anëtarësimin e Kosovës

Me propozim-amendament, Serbia i vazhdon tentativat për ta penguar anëtarësimin e Kosovës

Në prag të Samitit të radhës të Këshillit të Evropës, Serbia po e synon futjen e një amendamenti, nëpërmjet të cilit do të bëhet thirrje për respektimin e sovranitetit të shtetit, në përpjekjen për ta stopuar ecurinë e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Porse në këtë iniciativë, Serbia nuk ka gjetur mbështetje te shumica e shteteve anëtare, e këtë e ka pranuar edhe shefi i diplomacisë serbe

Serbisë i është prapësuar një propozim nga shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, për ta përfshirë në deklaratën e Këshillit të Evropës një paragraf, në të cilin bëhet thirrje për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë e shteteve të tjera.Këtë Serbia e ka bërë si vazhdimësi e përpjekjeve për ta penguar avancimin e Kosovës, pasi aplikacioni i saj u miratua në agjendën e komitetit të ministrave.

Deklarata, pa përfshirjen e propozimit serb, pritet të miratohet në samitin e radhës të Këshillit të Evropës, që mbahet më 16 e 17 maj, e në të cilin Ukraina do të jetë tema kryesore.

Në Qeveri kanë thënë se Serbia nuk ka propozuar amendament porse e ka synuar keqpërdorimin e një propozimi të tillë të shteteve të tjera, duke e amandamentuar tekstin fillestar.

“Në fakt, Serbia nuk ka propozuar një gjë të tillë, por ka synuar keqpërdorimin e një propozimi të tillë të shteteve të tjera duke amandamentuar tekstin fillestar. Duke pasur parasysh koordinimin tonë të ngushtë me vendet partnere, ne kemi qenë në dijeni në kohë reale mbi këto zhvillime dhe Serbia në fund e ka humbur edhe këtë betejë, sepse për vendet anëtare ka qenë shumë e qartë që pretendimet e saj nuk përkojnë me realitetin dhe një organizatë e rëndësishmë si Këshilli i Evropës nuk mund t’i pranojë ato”, tha zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

Një ditë para samitit, përfaqësues nga shoqëria civile, që funksionojnë në kuadër të Këshillit të Evropës, folën për ndryshim të rrethanave në raportet e Serbisë me vendet e tjera anëtare, shkaku i Kosovës.

“Kur u vendos në Këshillin e Ministrave në Strasburg për votimin e Kosovës, Serbia e ka anashkaluar çdo takim, përfshirë ata që ndërlidhen me Kosovën… Çdo gjë ata mundohen me lidh me Kosovën dhe Ukrainën. Nuk futet (propozimi i Serbisë) sepse Ukraina është aty, Moldavia- janë anëtare të Këshillit të Evropës, plus Amerika është shtet që vazhdon dhe ata e kanë luajtur lojën që Kosova të futet në agjendë”, tha Halim Isufi, nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

E Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, shprehu zhgënjimin për atë që e quajti vendim joparimor të Komitetit të Ministrave për ta nisur procedurën e pranimit të Kosovës në Këshill.

“Si përgjigje ndaj kësaj, ne përgatitëm një amendament të Deklaratës, e cila flet për integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, si dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, por kjo nuk i pëlqeu as Gjermanisë”, tha Daçiq.

Ai shtoi se në vend të presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili e përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes shkaku i mospranimit të propozimit, Serbinë në Samit do ta përfaqësojë ambasadorja në këtë organizatë, Aleksandra Gjuroviq.

Dosja e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim tani i është kaluar Asamblesë Parlamentare, e cila duhet të caktojë dy ekspertë për ta hartuar një Raport përmbajtjesor mbi Kosovën.

E pasi raporti të përpilohet, ai do të përcillet për diskutim dhe votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare. Do të duhet shumica prej dy të tretave që Komitetit të Ministrave t’i rekomandohet për ta ftuar Kosovën që të bëhet anëtare e KiE-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments