Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin u diskutuan përplasjet e shpeshta të qeverisë me komunat, që kanë të bëjnë kryesisht me ndarjet buxhetore. Nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj ka thënë se komuna e Prishtinës nuk është duke i bërë opozitë qeverisë, por është e kundërta.
Zogaj ka deklaruar se nuk ka koordinim të plotë mes qeverisë qendrore dhe komunave. Sipas tij, fakti që kryeministri i vendit nuk e ka vizituar Komunën e Prishtinës që një vit e gjysmë tregon se mungon një koordinim.
“Ne kemi pesë apo gjashtë muaj që presim të takohemi me kryeministrin, i kemi dërguar edhe ftesë zyrtare për t’i diskutuar problemet e përbashkëta sepse po flasim për kryeqytetin sepse kryeqyteti është përtej një komune sepse i takon edhe vet qeverisë. Nuk ka përplasje të mëdha por ka barriera dhe kjo çështja e bartjes së të hyrave vetanake neve si kryeqytet na ka shqetësuar, sepse kur flasim për bartjen e të hyrave flasim kryesisht për kryeqytetin ngase 35 milionë, 28 milionë janë të komunës së Prishtinës dhe kjo neve na atakon shumë”, ka shtuar nënkryetari i Prishtinës.
Sipas Zogaj,t kjo çka po ndodh me të hyrat vetanake është absurde.
“Kjo çka po ndodh është antikushtetuese, për këtë ka pasur edhe një debat në Kuvendin e Kosovës ku u konstatu se një veprim i tillë është antikushtetues dhe që qeveria nuk mund t’i marr ato fonde”, ka pohuar Zogaj.
Zogaj ka thënë po ashtu se nuk dëshiron të besojë se bllokada e të hyrave vetanake është ndonjë luftë speciale e qeverisë kundër Komunës së Prishtinës.