Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se vlerësimet pozitive dhe sugjerimet konstruktive të ofruara në raport, do të shërbejnë si një udhëzues i vlefshëm për rritjen e mëtejme të demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe niveleve të larta të korrupsionit si dhe krijimin e një administrate të bazuar në meritokraci.
“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiqiç dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai thotë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë vartëse të saj janë dhe do të vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara për luftimin e këtyre elementeve kriminale dhe garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve.
“Do të zbatohen masa për adresimin e shpejtë dhe efektiv të kësaj çështje, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Derisa ministri i Brendshëm thotë se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë mbetet një çështje urgjente dhe ritheksojmë vullnetin tonë të fortë politik për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe pa dallim.
“Ashtu siç thekson edhe raporti, shpresojmë që edhe sistemi i drejtësisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre që garantojnë rritje të efikasitetit dhe realizim të vullnetit tonë të përbashkët”, ka shkruar mes tjerash Sveçla.