Për masakrën e Dubravës kërkohet të bëhet një hetim nga Specialja. Një kërkesë të tillë ka bërë deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili ka qenë i burgosur në burgun e Dubravës, ku edhe është kryer masakër gjatë luftës në Kosovë.
Për këtë çështje, në RTK Prime deputeti nga radhët e LVV-së Enver Dugolli, foli për atë se si ka bërë kërkesën për t’u hetuar masakra e Dubravës, ku deputeti ka qenë i burgosur dhe ka përjetuar atë ngjarje të rëndë e që ka shprehur vullnetin ta drejtoj këtë, siç u shpreh ai, vullnet të tijin për ta vënë në pah atë ngjarje e që do të mund të përkufizohej si një kallëzim penal.
Dugolli më tej tregoi se prej nga e ka marrë atë nismë, që sipas tij, ishte vizita e Trëndafilovës më 2021, në Kosovë, që e bëri të merrte një hap të tillë, më saktë, një deklaratë e saj mbi gjykatën e Dhomës së Specializuar, e cila ka vlerësuar që nuk është një-etnike e që “ka juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimeve të tjera sipas ligjeve të Kosovës që kanë nisur ose janë kryer në Kosovë nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000”.
“Prandaj me këtë rast iu kam drejtuar si i mbijetuar i masakrës së Dubravës”, deklaroi Dugolli
Ndërkaq avokati Artan Çerkini, duke sqaruar natyrën e Gjykatës Speciale, theksoi se neni 6 ku thuhet se Juridiksioni lëndor i Dhomave të Specializuara mbështetet në raportin e Asamblesë së Këshillit të Evropës, këtë rast në raportin e Dick Martyt, në të cilin raport, mes tjerash, përmenden edhe krimet e kryera nga forcat serbe.
“Duke u bazuar nga fakti se krimet janë kryer edhe nga forcat serbe, pse të mos testohet sistemi i Gj.S. në këtë mënyrë siç e ka bërë deputeti Dugolli, nëse kjo gjykatë është një-etnike, apo jo”, deklaroi, ndër të tjera, avokati Çerkini.
Tutje, avokati Çerkini vuri në dukje disa të meta të Gj.S., veçmas ndaj aktakuzave ndaj ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët janë në Hagë.
“Tani, sipas kallëzimit penal të deputetit Dugolli, do ta mund të shohim se a do ta interpretojë juridiksionin lëndor në mënyrë të zgjeruar, sikurse ndaj ish-liderëve të UÇK-së edhe në raport me forcat serbe”, deklaroi avokati Çerkini.
Kurse deputeti Dugolli shtoi se ekzistojnë argumente të padiskutueshme, që, si viktima, të dëshmojmë të vërtetën, “ nuk kërkojmë më shumë sesa drejtësi, nuk kërkojmë identitet të dyfishtë, jemi të gatshëm të japim dëshmi para Gjykatës Speciale.”
Ndërkaq avokati Artan Çerkini tha se viktimat e masakrave, si dhe të tjerët presin epilogun e këtij kallëzimi penal, ky është test i parë, nëse Prokuroria dëshiron t’i ndjekë kriminelët e luftës.
“Kështu do të hapej rruga edhe për kallëzime të tjera penale, sepse ka fakte të mjaftueshme, porse si problem është juridiksioni e jo faktet, por është e mira që të gjitha viktima të fillojnë të grumbullojnë faktet për kallëzime penale”, deklaroi avokati Çerkini
Ai, më tej, sqaroi deklaratën e Trëndafilovas për juridiksionin që është si problem vetëm raporti lëndore, që nuk ka forcë detyruese, e ne i kemi dhënë fuqi ligjore, që është jotipike për gjykatat tjera, ngase, siç u shpreh ai, është rasti i parë kur raporti lëndor mbështetet në raport politik.