Wednesday, November 27, 2024
HomeLajmeKosovaRizvanolli: Nuk kam informata zyrtare për gjobitjen e KEK-ut dhe KOSTT-it

Rizvanolli: Nuk kam informata zyrtare për gjobitjen e KEK-ut dhe KOSTT-it

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është deklaruar të hënën pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për dënimin e dy kompanive publike, KEK-ut me 3.2 milionë euro dhe KOSTT-in me 439 mijë euro.

Rizvanolli thekson se nuk ka pranuar informacione zyrtare për gjobat që ZRrE-ja i ka vendosur KEK-ut dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Në seancën e së premtes, ZRRE-ja ka gjobitur KEK-un në vlerë prej 3.2 milionë euro dhe me 439 mijë euro KOSTT-in. Por, rregullatori për energji ende nuk ka treguar arsyen e këtyre gjobave.

Edhe kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje lidhur me gjobat ndaj këtyre dy kompanive publike. Ai ka thënë se gjatë ditës do ta publikojnë raportin për vendimet e marra ndaj KEK-ut dhe KOSTT.

Rizvanolli e pyetur për këto gjoba, ka thëne se për këto dënime ka dëgjuar vetëm në media.

“Unë nuk kam informata zyrtare për këtë, e kam parë vetëm nga mediat, andaj nuk mund të flas për këtë“, u shpreh Rizvanolli, shkruan KSP.

Ndërkaq, lidhur me rikthimin e njësisë A5 në operim, Rizvanolli deklaroi se janë shtuar edhe 130 megavat të reja që do të ndihmojnë tejkalimin furnizimit të rregullt me energji gjatë muajve të ardhshëm.

Ajo tha se është e rëndësishme që në këtë periudhë të jenë në funksione tri blloqet e Kosovës A për shkak të investimet që po ndodhin në blloqet e Termocentralit Kosova B.

“Na shtohen në kapacitete prodhuese 130 MGW të reja, 150 në gjenerim, 130 që dalin në rrjet. Kjo sigurisht që është një ndihmës për t’i tejkaluar muajt e ardhshëm. Duhet ta kemi parasysh që në muajt e ardhshëm janë duke u bërë investime në bojlerët e Termocentralit Kosova B në bllokun B1, pastaj në bllokun B2 që do të thotë që do t’i kemi nga një njësi të Termocentralit Kosova B jashtë operimit andaj është tejet e rëndësishme që t’i kemi tri njësitë e Kosovës A në operim dhe mbrëmë ishte duke operuar kur isha aty”, shtoi ajo.

Ministrja, Rizvanolli tha se me investimet që po bëhen në sektorin energjetik janë për 20 vitet e ardhshme.

Ajo tha se edhe gjatë kësaj jave kanë siguruar një pjesë të energjisë nga Shqipëria.

“Investimet që po bëhen janë për 20 vitet e ardhshme, investimet që po i bëjmë sivjet në Kosovën B por edhe në dy vitet e ardhshme ne po sigurohemi që sigurinë e furnizimit do ta kemi më të mirë jetëgjatësinë e Kosovë B po e rrisim edhe do të kemi furnizim më të mirë për 20 vitet e ardhshme. Në afat të shkurtër sigurisht që kjo do të thotë se do të kemi pak sfida për shkak se nga një njësi do të jetë jashtë operimit por nga ana tjerët këto janë duke u kompensua nga njëra me operimin e 3 blloqeve të Kosovës A sa të jetë e mundur dhe nga ana tjetër edhe me këmbimin me Shqipërinë i cili po vazhdon edhe gjatë kësaj jave ne kemi siguruar një pjesë të munguar nga Shqipëria dhe kjo do të na ndihmoj që këtë periudhë ta kalojmë më lehtë“, u shpreh ministrja e Ekonomisë.

Ndërsa, të dielën është rikthyer në operim njësia A5 e termocentralit “Kosova A” pas dhjetë muajsh.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments