Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), i ka dërguar një letër Këshillit të Evropës (KiE), me anë të cilës shpreh shqetësimin se situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është kritike.
“Një spastrim etnik modern me të drejtë quhet pasivizimi i adresave, i cili realizohet me ligj dhe që u mundëson autoriteteve shtetërore serbe të çregjistrojnë nga regjistri civil banorët e Luginës, të cilët në një kohë të caktuar nuk gjenden në shtëpitë e tyre”, thuhet në letër.
Sipas KASh-it, procesi i verifikimit është i njëanshëm dhe diskriminues, ndërsa vetë zbatimi i ligjit është jashtëzakonisht diskriminues i kryer vetëm në dëm të pakicës shqiptare në Serbi.
“Pasivizimi i adresave ka pasoja direkte negative për përditshmërinë e shqiptarëve. Më tej, ai sjell shpopullimin e Luginës nga shqiptarët dhe heqjen e të drejtës së votës. Janë mijëra shqiptarë të Luginës, të cilëve tashmë e drejta e votës dhe e qëndrimit iu janë hequr nga regjistrat shtetërorë civilë të Serbisë”, thuhet në leter të KASH-it.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të përgatisë dhe dërgojë letra, bazuar në gjetjet e tij nga vizita në terren, edhe organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, me qëllim ushtrimin e presionit për të siguruar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, thuhet në letrën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), kryetar i së cilit është Besnik Mustafaj, njëherit ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë. /Gazeta10/