Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, andaj ne nuk kemi më arsye që ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thoshte e tha në Bruksel më 2 maj. Unë besoj që të gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, tha ai.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, ne e kemi lexuar propozimin e tyre, ne kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësi. Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe… Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, asnjë minoriteti, as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë”, ka deklaruar ai.